Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka qenë sot në disa nga zonat më të populluara të kryeqytetit, në kuadër të një aksioni të koordinuar për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte private.
Ai u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë hapësirat e zëna sa më shpejt dhe vullnetarisht, për të shmangur ndërhyrjen me forcë nga autoritetet.
“Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Mirënjohje për të gjitha strukturat që, pavarësisht temperaturave të larta, janë në terren dhe për qytetarët që mbështesin përpjekjet për rregull dhe bashkëjetesë,” shtoi Hoxha.
Ministri Hoxha, i shoqëruar nga drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, inspektoi zonat e “Zogut të Parë”, “Pazarit të Ri”, pjesën pas Muzeut Kombëtar dhe kompleksin pranë zonës së “21 Dhjetorit”.
Postimi i ministrit
Sot në Tiranë, së bashku me drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake, strukturat e tyre dhe Policinë e Shtetit ishim në disa zona kyçe dhe të populluara në kryeqytet, si Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së nohur si ’21 Dhjetori’. Synimi është i qartë, rikthimi i trotuareve, shesheve dhe hapësirave publike, jo vetëm në qendër por kudo, tek dhe për qytetarët.
Asnjë subjekt nuk ka të drejtë të pushtojë hapësira në kurriz të komunitetit. Policia e Shtetit do të vijojë të mbështesë me vendosmëri çdo institucion për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë. Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar.
Falënderim për strukturat, që pavarësisht temperaturave të larta janë në terren, e mbi të gjitha për qytetarët që mbështesin këtë përpjekje për rregull e bashkëjetesë!