Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar pasditen e sotme, 3 korrik 2025, një takim me deputetët e qarkut Tiranë, por dhe me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës.
Mbledhja dukej se ishte e shpejtë, pasi zgjati më pak se një orë.
Në këtë takim, ishin ligjvënësit e rinj socialistë të qarkut Tiranë, si dhe kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani.
Mësohet se gjatë takimit, Rama ka udhëzuar deputetët e zgjedhur të shkojnë në zonat e tyre dhe të marrin informacione për problemet që kanë qytetarët.
Kjo, pasi ka pasur ankesa të shumta sa i përket shërbimeve nga ana e Bashkisë Tiranë, çka e ka shqetësuar kryeministrin.
Mësohet se Rama u ka lënë deputetëve dy javë kohë që të dalin në terren të mbledhin problematikat e qytetarëve dhe t’i sjellin në një tjetër takim me të.
Në mbledhje nuk është folur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Po ashtu, Rama nuk ka shprehur pakënaqësi për Tiranen. Mësohet të ketë ketë thënë se Tirana nuk është si Vlora, “në Vlore pashë gjëra që nuk shkonin”.
Paraditen e të enjtes, Rama zhvilloi një takim të ngjashëm në Vlorë. Me një bllok në dorë, kreu i qeverisë kaloi pragun e bashkisë ku zhvilloi një mbledhje gati 90 minuta me kryetarin Ermal Dredha dhe të gjithë drejtuesit e bashkisë.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, tonet kanë qenë të larta dhe Rama ka fshikulluar Ermal Dredhën, duke e kritikuar për punën në kryer të këtij institucioni.
Nga menaxhimi i sezonit turistik, mungesa e ujit të pijshëm dhe problematika e tjera të shfaqura nga qytetarët e Vlorës kanë qenë pjesë e kritikave të Ramës drejtuar kryebashkiakut.
Numri një i qeverisë nuk u ndal vetëm me kritika, por kërkoi riformatim të të gjithë drejtorive, duke kërkuar largimin e të gjithë drejtorëve aktualë.
Në optikën e Ramës as deputetët e Vlorës nuk kanë bërë punën siç duhet, ndaj kërkoi edhe prej tyre reflektim.
Përveç kërkesave drejtuar bashkisë, Rama kaloi në veprim me reformim të Partisë Socialiste në Vlorë, ku ka komanduar dy drejtues të rinj, Klevis Kason dhe Erjona Ismailin, detyrë që në fushatën elektorale është mbajtur nga Pirro Vengu dhe Vilma Bello.