Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzë zyrtare dhe për partneren aktuale të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, zonjën Erjola Hoxha. Më herët gjatë ditës së djeshme SPAK i komunikoi akuzën dhe ish-gruas së Arben Ahmetajt, zonjës Albina Mançka.
Të dyja partneret e Ahmetajt, në kohë të ndryshme, akuzohen për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Komunikimi i akuzës për Hoxhën, është bërë në mungesë, pasi ajo ndodhet së bashku me ish-numrin 2 të qeverisë, dhe vajzën e tyre të mitur në Zvicër, ku kanë nisur dhe procedurat për marrjen e azilit.
Dosja e tyre është veçuar nga hetimet për inceneratorin e Elbasanit, ku më herët janë dënuar 10 persona, përfshirë dhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka.
Ndërkohë që për vetë Ahmetajn, SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Ahmetaj akuzohet se ka marrë favore nga dy biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiti, të cilët gjithashtu janë marrë të pandehur në mungesë nga ana e Prokurorisë së Posaçme.