Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur ‘armikun’ e radhës. Bëhet fjalë për kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Në fjalimin e tij, si çdo natë nga dritarja e banesës së tyre, Berisha tha Zaçaj ndërmerr vendime të turpshme dhe kriminale. Ndër të tjera i përmendi Zaçajt, deklaratat e saj për shtyp të pak ditëve më parë, kur edhe u shpreh se e konsideronte të paimagjinueshme moszbatimin e vendimit për mandatin e deputetes socialiste, ish-ministres së Mbrojtjes dhe të Jashtme, Olta Xhaçka.
Po ashtu, e akuzoi se ishte e “blerë”, pa përmendur se nga kush, duke e cilësuar edhe si këshilltare të kryeministrit Edi Rama.
“Edhe njëherë dua t’u rikujtoj miqtë e mi se Edi Rama, për të rrëmbyer liritë tuaja, për të vendosur të gjitha pushtetet në duart e tij të krimit, së pari rrëmbeu votën, së dyti rrëmbeu drejtësinë. Para dy ditësh, ajo që është kryetare e Gjykatës Kushtetuese, u tha shqiptarëve se është e paimagjinueshme të mos zbatohet vendimi për Ndrikull Xhaçkën, për Olta Xhaçkën, vendimi i gjykatës. Në emër tuaj, nuk më vjen mirë të merrem me një zonjë, por kur tejkalon çdo lloj limiti, nuk ke rrugë tjetër. Asaj zonje i them, më e paimagjinueshme se çdo gjë tjetër janë vendimet e tua të turpshme dhe kriminale. Zonjë, që nga paratë e këtyre qytetarëve, edhe të papunë, taksat e tyre, merr sot një rrogë 20 përqind më të lartë se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë, një vend me të ardhura pesë herë më të larta se Shqipëria, ajo që nuk mund ta imagjinojë një njeri është të shkruash në zyrën tënde të turpit, Kushtetutën e vendit. T’i hiqesh të drejtën opozitës për ankesë të pakushtëzuar që i ka njohur Kushtetuta. Të shpallësh entitet parlamentin, që nuk e njeh Kushtetuta si të tillë. Ku ke ti moral të flasësh për imagjinatë, kur ti nuk njeh as të drejtën kushtetuese të vendit tënd, as të drejtën ndërkombëtare. A e di ti zonjë se në të drejtën ndërkombëtare, në konventat që ka firmosur ky shtet, ti kurrë nuk mund të votoje për ndërtimin e Skavicës, se ajo që ti bëhesh këshilltare e narkoshtetit, që është turpi i dheut, e di çfarë do të thotë ajo këshillohu, do të thotë se ke shkelur ligjin ndërkombëtar, do të thotë se ke vendosur pa pyetur komunitetin, do të thotë se vendimi nuk ka vlerë, do të thotë se ligji nuk ka vlerë. Por ti nuk ke guxim se ti je e blerë, e blerë, e blerë! Dhe do të bësh moral ti, do të bësh edhe moral. Si mund të bësh moral ti kur në konventat ndërkombëtare që ka firmosur ky shtet, kjo qeveri nuk mund të firmoste kurrë pa marrë miratimin e banorëve, se shkelte këtë të drejtë ndërkombëtare. Kurse ti bëhesh këshilltare e Edi Ramës, turpi i dheut, turpi i ligjit, turpi i të drejtës,”-tha Berisha në fjalën e tij.
Gjithashtu ndër të tjera u kërkoi qytetarëve që të merrnin pjesë në protestën e shpallur nga vetë ai, edhe pse në arrest shtëpie, më 20 shkurt.
“Qytetare dhe qytetarë, të marrim fatin tonë në dorë, të marrim fatin e Dibrës në dorë, të marrim fatin e Shqipërisë në dorë. Askush përveç nesh nuk do mund të shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët sot. Ndaj dhe ne, të bëjmë gjithçka për të zgjuar luanin edhe te ata indiferentë që tha Agimi. Të bashkohemi, natyrisht jo me tradhtarët. Ata meritojnë banesën e turpit të historisë. Por ne duhet të bëjmë gjithçka, të bashkohemi në betejën tonë pa kthim. Të bashkohemi në betejën tonë për rivendosjen e pluralizmit, për mbrojtjen e të drejtave tona. 20 shkurti ka një simbol të madh për një gjeneratë të tërë, domethënia është thjesht në fushën e erudicionit, por për gjeneratën para tyre, përmbysja e shtatorit të diktatorit më gjakatar, ishte në të vërtetë momenti magjik, momenti hyjnor kur opozita shqiptare u bë opozitë e vërtetë. Ndaj dhe u zgjodh 20 shkurti për ditën e protestës së madhe. Zvarritja e diktatorit pa diskutim ishte një hakmarrje e njerëzve të shtypur për kasaphanën e luftës së klasave, për gjëmën që i kishte bërë shqiptarëve. Përmbysja e këtij regjimi është kushti i të gjitha kushteve për të ardhmen e shqiptarëve, për të ardhmen e dibranëve, për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe të mbarë kombit. Ndaj dhe ftesa ime për çdo qytetar shqiptar: më 20 shkurt, në ditën e provës së madhe në Tiranë, në orën e fitores në Tiranë. Thirrja ime për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që janë, në Europë, Amerikë dhe kudo, 20 shkurti ju fton në ditën e betejës së madhe, ditën e lirisë. O sot o kurrë, të shpëtojmë Shqipërinë! Shqipërinë, liritë tona, të drejtat tona, do t’i mbrojmë vetë, do i meritojmë vetëm në rast se i mbrojmë. Askush nuk ka pse të luftojë për ne! Ndaj dhe ne me besim të palëkundur te e vërteta, me besim të palëkundur në të drejtat dhe liritë tona, në idealet tona më të larta dhe fisnike, duhet të ecim krenarë dhe të pamposhtur drejt përmbysjes së këtij regjimi. Të shndërrojmë Shqipërinë përsëri në vendin e pluralizmit dhe demokracisë, në vendin e të drejtave të qytetarëve.”