Kandidatët socialistë për deputetë, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë tërhequr kërkesën e tyre drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të parë pamjet filmike të numërimit të votës preferenciale.
Kjo tërheqje e dy kandidatëve socialistë vjen pas kërkesës së kryesocialistit Edi Rama.
Në një komunikim të brendshëm, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij për iniciativat e disa kandidatëve që kanë kërkuar rinumërim apo verifikim të pamjeve filmike, duke i cilësuar si të panevojshme dhe të dëmshme për imazhin e fitores së PS-së.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime e rinumërime e ku di unë për votën preferenciale! Kjo i bie që të hidhet hije mbi njerëzit tanë që kanë ndenjur pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh,” theksoi Rama në mesazhin e tij.
Ai shtoi se diferencat mes kandidatëve fitues dhe ndjekësve janë të mjaftueshme për të mos ngritur dyshime mbi procesin, duke kujtuar se nuk ka asnjë shans që devijimet të kenë qenë të tilla që të ndryshojnë rezultatin.
“Parafytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do i hyjë kësaj rrugë, duke ushqyer qenërinë mediatike, kur në fund mali i mbarsur mos pjellë dot as një mi!”, përfundoi ai.