Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky u ulën për një bisedë ballë për ballë në sallat luksoze të një bazilike të Vatikanit për të diskutuar një armëpushim të mundshëm, por presidenti amerikan më vonë akuzoi homologun e tij rus, Vladimir Putin, se nuk donte të “ndalonte luftën”.
Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin e Trump me udhëheqësin ukrainas para funeralit të Papa Françeskut si “shumë produktiv”, ndërsa Zelensky tha në rrjertin sociale X se biseda me presidentin amerikan ishte simbolike dhe kishte “potencialin të bëhej historike, nëse arrijmë rezultate të përbashkëta”.
Ishte hera e parë që Zelensky dhe Trump u takuan ballë për ballë pas një takimi të ftohtë të shkurtit në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e qortuan udhëheqësin ukrainas dhe e akuzuan atë për mosmirënjohje për ndihmën e SHBA-së.
Trump më vonë publikoi një postim në mediat sociale duke kritikuar Putinin. “Nuk kishte asnjë arsye që Putini të qëllonte raketa në zona civile, qytete dhe qyteza, gjatë ditëve të fundit”, postoi ai në Truth Social.
“Më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën, thjesht po më shtyn mua dhe duhet të trajtohet ndryshe, përmes ‘Bankimit’ ose ‘Sanksioneve Dytësore?’ Shumë njerëz po vdesin!!!”, shkroi presidenti amerikan.
Në një përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve midis Ukrainës dhe Rusisë, Uashingtoni po angazhohet në ndërmjetësim intensiv midis dy vendeve, të cilat janë në luftë që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022.
Të premten, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë për tre orë për të diskutuar propozimin e paqes të Uashingtonit. Trump tha se “shumica e pikave kryesore janë rënë dakord”, në një postim në platformën e tij Truth Social, pa dhënë më shumë detaje. Ai bëri thirrje për një takim midis udhëheqjes së Kievit dhe Moskës për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi, të cilën ai e tha se ishte “shumë afër”.
Pavarësisht entuziazmit të Trump për një marrëveshje, mbeten dallime të rëndësishme midis vizionit të SHBA-së për paqen dhe asaj që Ukraina dhe aleatët e saj evropianë e kanë konsideruar si kushte të pranueshme për një armëpushim.
Dy grupe planesh paqeje të publikuara nga Reuters të premten treguan se SHBA-të po propozojnë që Moska të mbajë territorin që ka pushtuar, përfshirë gadishullin strategjik të Krimesë të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Kjo duket se është një dështim për Ukrainën dhe vendet evropiane, teksa Zelensky që këmbëngul se territori është “pronë e popullit ukrainas”.
“Qëndrimi ynë është i pandryshuar”, u tha presidenti ukrainas gazetarëve në Kiev. “Kushtetuta e Ukrainës thotë se të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht … i përkasin Ukrainës”.
Është gjithashtu e paqartë nëse Moska do të bjerë dakord me marrëveshjen e paqes të SHBA-së, e cila shihet si ofrim i lëshimeve të konsiderueshme për Rusinë.
Të shtunën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se të gjitha trupat ukrainase ishin detyruar të largoheshin nga rajoni Kursk i Rusisë, një objektiv kyç për Moskën. Zyrtarët ukrainas e kundërshtuan pretendimin dhe thanë se operacionet në territorin rus, vijojnë ende.
Detajet teknike të një marrëveshjeje armëpushimi ende duhet të përpunohen, duke përfshirë mënyrën se si do të hiqen sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Rusisë dhe çfarë lloj garancish sigurie do t’i ofroheshin Ukrainës.
Trump pranoi të premten se bisedimet ishin “shumë të brishta” dhe ka paralajmëruar se SHBA-të do të ndalonin përpjekjet e tyre të ndërmjetësimit nëse të dyja palët nuk arrinin një marrëveshje së shpejti.
Një ditë më parë, Rusia kreu sulmin e saj më vdekjeprurës në muaj ndaj Ukrainës, duke lëshuar 70 raketa dhe 145 dronë, kryesisht drejt Kievit.
Sulmi bëri që Trump të sulmonte Putinin në mediat sociale. “Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në Kiev. Jo e nevojshme dhe në një kohë shumë të keqe. Vladimir, NDALO! 5000 ushtarë në javë po vdesin. Le ta përfundojmë Marrëveshjen e Paqes!” postoi Trump në Truth Social të enjten.