PD bashkon votat me PS në KAS, rrëzon 4 kandidatët demokratë: Rinumërimin e votave mund ta kërkojnë vetëm partitë!

Kandidatët e Partisë Demokratike Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha kërkuan nga Komisioni Qenderor i Zgjedhjeve rinumërimin e votave të tyre në Tiranë. Secili me argumentin e tij, kërkonin që të rinumëroheshin votat, qoftë edhe për ndonjë gabim të bërë nga numëruesit ditën e procesit.

Por, një natë më parë janë tradhëtuar po nga partia e tyre, Partia Demokratike. Dje u mblodh KAS dhe në mbyllje të mbledhjes, rrëzoi kërkesën e kandidatëve me 4 vota pro dhe vetëm 1 kundër.

Anëtarët e KAS vendosën sot se katër kandidatët, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, nuk mund të legjitimohen si palë ankuese për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre.

Vetëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre. Ndërsa përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Çefa nga PD ishin kundër. Ata argumentuan se sipas Kodit Zgjedhor ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati.

Pas këtij vendimi, mjeku Ilir Alimehmeti tha se kanë krijuar një artificë me qëllim për të rrëzuar kërkesat e tyre.

“Defakto nuk u morën me kërkesat tona, përmbajtjen e provave, u morën me një artificë të pakuptimtë që është “subjekti duhet të kërkojë rinumërim”, ndërkohë që kryetari i PD është shprehur pro. Kaq di nga seanca, thelbi është që nuk bazohet ke provat e dërguara por te një artificë. Presim për hapat e tjera. Unë vetë në prova kam evidentuar shifra gabim në proces-verbale. Kemi parë edhe disa kamera, parregullsi në qindra vota jo vetëm të miat, që në video janë ndryshe nga proces- verbali. Nëse subjekti politik duhej të dërgonte një shkresë, duhet të na e thonin,”- tha Alimehmeti për Report TV.

Ilirjana Kuçana u shpreh se ka prova që vota e saj është tjetërsuar dhe se do ta çojë betejën e saj deri në fund.

Lajme të tjera |  Hasani flet greqisht në Athinë/ Homologu grek: Ka nënën nga Himara, të "zhdukim" hijet që na kanë tronditur

“Dhimbja më e madhe për një kandidat demokrat nuk është se nuk pranohet kërkesa e një kandidati nga anëtarët e KAS të PS, por kur sheh që anëtarët e PD bashkojnë votat me PS, kjo ka qenë një nga ngjarjet që unë personalisht kam qenë e shokuar. Kam pyetur në sallë se si ka mundësi dhe si ka qenë miratimi. Ka qenë 4 pro dhe 1 kundër. Siç e dini vendimi për numërimin e kandidatëve, e cila pasi ka marrë pamjet filmike, pasi i kam drejtuar KQZ disa kërkesa, të më vendosë në dispozicion proces verbalet, një e drejtë që e ka secili kandidat, akoma nuk i kam. Kam kërkuar sot në KAS që si kandidate për deputete në qarkun e Durrësit, duke parë parregullsitë, pas vëzhgimit të pamjeve filmike kam evidentuar ndryshim të vullnetit të qytetarëve durrsakë, kam kërkuar rinumërimin në disa KZAZ në qarkun e Durrësit. Kam fakte, kam parë pamjet pamjet filmike. Kam kuti të identifikuar që është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë,”- tha Kuçana në Report Tv.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us