Jorida Tabaku thotë se zgjedhjet e 11 majit ishin një mundësi e humbur për Shqipërinë. Duke filluar nga mënyra se si u organizuan. “Nuk ka vend për festë për PD, rezultati ishte ai që ishte, nuk është ai që pritej, por në këto zgjedhje u vu re një influencë akoma edhe më e madhe, e të gjithë problematikave që kanë ndodhur në zgjedhjet në Shqipëri. Më vjen keq kur normalizohet dhe thuhet se gjithmonë kështu ka ndodhur”, tha ajo në një intervistë për “Skedarin Politik” në A2 CNN.
“Ishte mundësi e humbur për Shqipërinë, për të organizuar zgjedhjet. Sepse ishte hera e parë që organizoheshin me negociata të hapura. Dhe zgjedhjet janë element kryesor në grupkapitullin e parë. Prandaj do kisha menduar që edhe për hir të kësaj retorike që qeveria ka mbajtur për integrimin, sjellja do të kishte qenë komplet ndryshe nga ajo që ndodhi. Nga ana tjetër, unë e konsideroj integrimin si rrugën e vetme për ta ndryshuar Shqipërinë. Sepse nuk di instrument më të mirë se si të ketë më shumë kontroll, monitorim në Shqipëri. Qoftë edhe për korrupsionin zgjedhor dhe krimin e organizuar”
E pyetur për faktin se ka pasur zëra nga brenda PD që kanë kontestuar edhe rezultatin e saj personal, si deputetja më e votuar nga radhët e PD, Tabaku u përgjigj: “Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh transparencë. Komenti im i vetëm është të bëhet transparencë për gjithë Tiranën. Kam shumë besim te integriteti i numëruesve të Partisë Demokratike, te strukturat, kështu që jam shumë e hapur për transparencë totale”.