Ilir Meta ishte i përzgjedhuri i Partisë Demokratike për të nisur takimet konsultative me aleatët, për formulën e bashkëpunimit në zgjedhjet e 2025.
Pas tij, një tur takimesh do të zhvillohen me partitë aleate, që ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, PD nën drejtimin e Sali Berishës, duket t’i ketë më të pakët.
Por, ftesën për konsultim nuk do ta pranojë kreu i LZHK Dashamir Shehi, që njëjtë si aleatët e tjerë, doli deputet nga koalicioni opozitar në 2021. Jo-ja e tij, për të qenë në zgjedhjet e ardhshme në aleancë me Sali Berishën është e prerë:
“Jo Flamur Noka të vijë, por edhe Berisha të vijë vetë, kjo punë është e mbyllur”, – thotë Dashamir Shehi.
Refuzimin nuk e bazon te kalkulimet elektorale, por thotë se parimet e ndajnë nga PD e drejtuar nga Berisha.
“Nuk mund të bëjë e djathta shqiptare armiq miqtë më të mirë si SHBA, Europën, Britaninë. Këto kolegët tonë opozitarë në darkë i thonë bande kriminale PAK-ut dhe pastaj shkojnë dorëzojnë letra. Na ndan raporti me drejtësinë e re”, – shprehet Shehi.
Shehi thotë teksa refuzon koalicionin me PD me Sali Berishën kryetar, po bën përpjekje për të bashkuar forcat, për një koalicion të ri opozitar:
“Gjykoj që formula më e mirë që partitë e tjera të vogla, të reja, në parlament ose jo, të bëjmë një listë të përbashkët”, shtoi kreu i LZHK-së.