Përballen me Tiranën për misionin mbijetesë, Ernest Gjoka: Ekipi po rimerr veten, jemi gati për këtë finale

Skënderbeu dhe Tirana do të përballen këtë të shtunë për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 34-t të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Korçës, do të nisë në orën 15:30.

Në prag të këtij dueli ka folur trajneri i korçarëve, Ernest Gjoka. Ky i fundit thotë se gjendja e ekipit të tij është pozitive, e ndër të tjera shprehet se Tirana ka bërë mirë në kohët e fundit, duke e parë këtë ndeshje mjaft të vështirë.

“Personalisht mendoj që është gjendje pozitive. Është gjendje që gradualisht skuadra po rimerr veten nga ana psikologjike, kështu që mendoj se jemi gati për një finale tjetër. Për momentin deri tani mund të jetë një lojtar që mund të mungojë, por po luftojmë me kohën, ndoshta mund ta rikuperojmë për ta pasur gati, Doka.

Pas janarit, të gjitha ndeshjet kanë qenë finale. Skënderbeu kaloi disa momente shumë të vështira, unë shpresoj dhe mendoj se tashmë skuadra është pjekur shumë, duke pasur parasysh atë që kaloi 2-3 muaj rresht. Ne vazhdojmë kemi finalet tona, dimë përgjegjësitë tona. Dhe tashmë jemi të gjithë në një zë që mund t’ja dalim dhe po luftojmë që Skënderbeu të rrijë në elitën e futbollit shqiptar.

Tirana është kundërshtar që ka bërë mirë, dhe psikologjikisht duke pasur parasysh derbin, fitore e merituar dhe e lehtë e Tiranës në thonjza. E lehtë sepse me një kundërshtar si Partizani, 3-0 është rezultat që në derbi bëhet rrallë. Dhe ato janë në gjendje të mirë psikologjike, kjo ndeshje merr rëndësi të veçantë. Do jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar, kush do gabojë më pak taktikisht do ketë dhe fatin për të marr 3 pikëshin, uroj ta kemi ne këtë fat.

Ne do futemi në fushë për të dhënë dhe për të marrë gjithçka. Pastaj loja ka problematika, momente, faktorë të shumëllojshëm. Ne po përgatitemi si çdo ndeshje për maksimumin.

Unë falenderoj tifozët sepse janë munduar të na dalin në krah dhe në momente të vështira. Shpresoj që nesër jo vetëm të jenë faktori kryesor, lojtari i 12-të i joni, por të jenë ai lojtari i 12-të që të jetë motivues dhe suport për skuadrën, që të gjithë bashkë të argëtohemi dhe të gëzojmë për një fitore tjetër të radhës”, është shprehur Ernest Gjoka.

Lajme të tjera |  Dueli delikat me Bylisin, Skënder Gega “sms” lojtarëve të tij: Jepni maksimumin, s’po luajmë jashtë Shqipërisë

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us