Ilirjana Kuçana, kandidate për deputete e Partisë Demokratike ishte këtë të diel e ftuar në “Now” me Greta Topjanën në Euronews Albania ku ka folur rreth situatës brenda Partisë Demokratike dhe diskutimeve për rinumërimin e votave.
Ajo është ndër deputetet që kanë kërkuar që kutitë për votat e kandidatëve të rinumërohen, pasi sipas tyre ka dyshime për tjetërsimin e votave.
Ajo tha se zëra kritik për këtë qasje ka pasur brenda dhe jashtë PD-së, por sipas saj këtë vendim ajo e ka marrë për qytetarët e Durrësit, të cilët duan të dinë të vërtetën.
“E vërteta duhet të dalë në pah. E vërteta ndonjëherë është e hidhur, por është e vërtetë. Ata që sot na kritikojnë. Ndoshta na shikojnë me dyshim. Unë i sigurojë se pas transparencës të gjithë do të kuptojnë se ne po bëjmë një nder të madh. Ky nuk është një vendim që unë e kam marr për Ilirjanën, e kam marr për qytetarët durrësak, se më kanë thënë se më kanë votuar. Ka një zonë të caktuar ku mua nuk më dalin votat e familjarëve të mi. Kjo ka qenë hija e dyshimit. Si mundet që familjarët e mi të mos më kenë votuar. Unë kam qenë vetë prezente në numërim kur 5 vota kaluan nga emri im në emrin e një kandidati tjetër. Kam qenë vetë prezente”,-tha Kuçana.