Shqipëria shënon një tjetër hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri të ditur se procesi i shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening” përfundoi me sukses këtë javë në Bruksel.
Sipas tij, ky proces zgjati për 14 muaj me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis.
“Ky proces e sjell Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian dhe e bën atë më të përgatitur për fazat e mëtejshme të integrimit”, tha ai.
Hapi i radhës, theksoi Hasani, është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore.
“Një nxitje për angazhim intensiv, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi ai.