Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite më 20 prill janë vrarë të paktën 25 persona në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë gra dhe fëmijë.
Izraeli rinisi sulmet ajrore dhe tokësore në Gazë më 18 mars, duke rinisur luftimet pas dy muajsh armëpushim, që ndaluan luftën 15-mujore mes Izraelit dhe Hamasit – grupif palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Që nga agimi sot, sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 20 persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë në mbarë Rripin e Gazës”, tha për AFP-në, Mahmud Bassal, zëdhënës i agjencisë për mbrojtje civile.
Në një njoftim të ndarë, agjencia raportoi edhe për pesë të vrarë nga sulmet izraelite me dronë në Rafah.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, një ditë më parë u zotua që të vazhdojë luftën dhe të lirojë pengjet që ende mbahen në Gazë nga Hamasi.
“Jemi në një fazë kritike të fushatës, dhe në këtë pikë kemi nevojë për durim dhe vendosmëri për të fituar”, tha Netanyahu përmes një njoftimi, duke refuzuar thirrjet nga radikalët palestinezë për t’i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr trupat nga Gaza.
Që kur Izraeli rifilloi ofensivën muajin e kaluar, të paktën 1.827 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve në luftën në Gaza ka arritur në 51.201, shumica prej tyre civilë, sipas së njëjtës ministri – shifra që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme.
Lufta shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023, i cili rezultoi në vrasjen e afër 1.200 personave dhe rrëmbimin e afër 250 të tjerëve nga Izraeli. Nga të rrëmbyeri, 58 persona ende mbahen në Gazë, përfshirë 34 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur. /REL