Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka komentuar sërish përplasjen e ashpër verbale me kolegen tjetër demokrate Flutura Açka në Komisionin e Medias. Bardhi tha se e ka mike dhe ndihet i keqardhur, por se ishte një shpërthim i momentit dhe i sinqertë. Po ashtu ai ka zbuluar se 10 minuta para nisjes së mbledhjes, i ka kërkuar Açkës anulimin e saj.
Gazment Bardhi: Deputetja tjetër është mike e imja dhe shpërthimi është aq i sinqertë sa të ishin përballë dy miq. Unë kam një zakon politik zoti Fevziu që nuk jam ndryshe para kamerave dhe ndryshe pas kamerave. Këtë e kam, jam i njëjti në çdo moment. Aty kam thënë atë që kam ndjerë, nuk kam patur gjë me kolegen.
Pyetje: A ndihesh keq për skenën?
Gazment Bardhi: Absolutisht ndihem i keqardhur, do doja që skena të mos ndodhte, kjo ka qenë arsyeja pse për 10 minuta pa filluar mbledhja i jam lutur zonjës Açka për të mos e vijuar mbledhjen, kishte një këmbëngulje, nuk e kuptova pse, megjithëse tashmë e kam kuptuar, është një strategji e zotit Basha
Paraditen e djeshme në Komisionin e Medias, i cili drejtohet nga Flutura Açka pati tensione të shumta. Edhe pse grupimi Berisha-Bardhi kishin parlajmëuar se do të bllokonin punën e Komisioneve, kjo nuk e kishte penguar Flutura Açkën që mbledhjen ta thërriste fizikisht dhe jo online. Mbledhja zgjati vetëm dy minuta, për shkak se deputetët shkulën mikrofonin e Açkën dhe nuk lejuan vazhdimin e punimeve. Mes tyre nuk munguan akuzat e ndërsjella, ndërkohë që vetë Açka e cilësoi të pahijshme skenën, por sipas saj opozita e zhurmuesve duhet të marrë fund./ Pas kësaj PS kërkoi përjashtimin e Bardhit dhe Nookës