Është rënduar bilanci i ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ku pas një përplasje me armë mbeti i vrarë Egzon Haziri, ndërsa u plagosën 3 të tjerë, mes tyre dhe një grua e cila ishte kalimtare e rastit. Fatkeqësisht kalimtarja, e cila u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ka ndërruar jerë paraditen e sotme. Zajnie Gashi, 48-vjeç, nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy të rinjtë, Lum Halimaj dhe Bilall Kqiku, pasi ndodheshin në vendgjarje.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, gjendja e tyre shëndetësore është stabël dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se dy të dyshuarit, vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe Policia po vijon hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së tyre.