Bashkëthemeluesi i partisë “Djathtas 1912”, Agron Kapllanaj ka folur sërish lidhur me përplasjen që patën të afërmit e tij me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Teksa jepte versionin e tij lidhur me ngjarjen, pati edhe një reagim zyrtar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme. Sipas bashkëpunëtorit të Enkelejd Alibej, disa persona kishin shkuar pranë biznesnit të tij, e aty, drejtori i kompanisë u kishte bërë një foto targës për t’ja nisur Kapllanajt dhe këtu sipas tij ka nisur përplasja dhe kërcënimi i parë. Gjithashtu në prononcimin për “ReportTv”, shton se në momentin kur ka shkuar që të bëjë kallëzimin, nipërit e tij dhe një punonjës i kompanisë e kishin hasur makinën në rrugë dhe e kishin ndalur për të pyetur lidhur me identitetin e tyre. Në këto momente ka ndodhur edhe përplasja. I vendosur përballë reagimit zyrtar që bëri SPAK për ngjarjen, Kapllanaj vazhdon dhe pretendon se agjentët nuk ishin identifikuar se cilët ishin, madje shton se kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit. Për këtë ngjarje, paralajmëron se do të bëjë edhe një kallëzim në Polici.
Agron Kapllanaj: Drejtori i kompanisë time bën foto të targës dhe ma nis mua, dikush nga ata i thotë fshije foton, dhe ai i thotë “nuk kam pse ta fshij”. Në këtë kohë një person që nuk dilte nga makina që ishte në timon, i thotë “do ta fshish atë foton se nuk e imagjinon dot se çfarë do të të ndodhë ty”. Ai i thotë unë foton ia nisa pronarit, dhe ai ia kthen: Do të të bëj ropt ty dhe pronarit. Sa zbrita menjëherë poshtë, makina me 4 personat u largua. Pashë që drejtori i kompanisë time ishte shumë i irrituar, madje po i shpëtonin lotë nga sytë. Më tha se ishte shumë i prekur dhe kërkoi që të bënte kallëzim në Polici. Unë shkoj dhe i them policit roje se desha të bëja një kallëzim. Teksa po prisja, zgjati pak, i thashë efektivit që të fliste edhe njëherë që nxitonte se mund të agravohej situata. Më konfirmon që të shkoja dhe të takoja shefin e Komisariatin. Gjatë kësaj kohe drejtori i kompanisë dhe nipërit e mi janë përballur me këtë mjet dhe i kanë kërkuar sqarim. I kërkuan sqarim se kush ishin? Tre të tjerët ishin shumë korrekte, vetëm njëri, ai që ishte në timon shau.
*reagon SPAK
Në asnjë moment nuk na thanë që ishin punonjës policie, madje po të kishin thënë që ishin punonjës policie do u kisha ofruar kushte me të mira, do i kisha futur brenda. Po të na kishin thënë do të kishin edhe mbështetjen tonë. Në të tilla kushte nuk e di se me kë kam të bëj. Shoferi ka nxjerrë armën dhe i ka thënë “bëni prapa se ju vrava”. Në momentin kur ka ndodhur përplasja, ka nxjerrë armën e zjarrit, efektivi shkoi që ta arrestonte. Mua nuk ma ka marrë njëri kallëzimin penal, kam ndenjur deri në orën 4 të mëngjesit. Nëse nuk ma marrin edhe sot, do ta bëj nëpërmjet një avokati dhe do ta çoj aty ku duhet çuar. Kjo ishte e gjithë ngjarja dhe nuk ka asnjë lloj sulmi nga ana jonë. E gjitha ka ndodhur prej arrogancës së një personi, se të tjerët ishin korrektë, përveç faktit që duhet të ishin identifikuar.
Sipas Policisë, BKH dhe operacionalja ka qenë në Fier për veprime hetimore kur janë konfliktuar me të afërm të Agron Kapllanajt. Për ngjarjen janë vendosur në pranga nipërit e politikanit, Ledion dhe Klaudio Kapllanaj, së bashku me Gerald Kollçakun.