Dalin pamjet nga momenti i shoqërimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për në ceremoninë mortore të gjyshes së tij të ndjerë. Siç shihet edhe nga pamjet, Beleri është shoqëruar nga dhjetëra efektivë policie, por kjo nuk ka shmangur dot grumbullimin e mbështetësve.
Ata dëgjohet të brohorasin emrin e Belerit dhe të tentojnë për tu afruar e për ta takuar atë, por janë penguar nga efektivët. Kjo gjë ka sjellë dhe përplasje me efektivët. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-t blinduan zonën, derisa Beleri përfundoi ritualin në varrimin e gjyshes së tij dhe u largua me pranga në duar.
Edhe gjatë largimit nga ceremonia pati ovacione e të shara nga vendasit. Madje, kur Beleri hipi në mjetin e policisë, një prej qytetarëve ka qëlluar me gurë në drejtim të furgonit.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri mori leje të posaçme dhe la qelinë për gjashtë orë, pasi u vu në dijeni për humbjen e gjyshes së tij. E ndjera quhej Kolopi Beleri dhe ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Beleri është arrestuar më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës.