Përplasje në KAS! Rusmali – juristit të PD: Mos bëj fodullin! Logu: Keni konflikt interesi, mbledhja shtyhet

Mbledhja e sotme e Kolegjit të Ankimimit dhe Sanksionet u shoqërua me tensione dhe debate. Pas diskutimeve për Kukësin, ku opozita dorëzoi provat e pretenduara dhe vendimi u shty për të hënën e 2 qershorit, ishte radha e diskutimeve dhe dëgjesës për qarkun e Dibrës. Në Dibër, PS ka fituar 3 mandate, ndërsa PD 2.

Demokratët pretendojnë parregullsi të shumta, duke dorëzuar pothuajse të njëjtën dinamikë provash si në rastet e tjera. Anëtari i KAS, Ilir Rusmali debatoi me juristin e PD-së Marash Logu, që kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Dibër.

Logu kërkoi hapjen e kutive te KZAZ 18 në Bulqizë, pasi nga pamjet filmike kanë konstatuar parregullsi, ndërsa anëtari i KAS tha se pamjet nuk vihen bruto në dispozicion. Debati agravoi edhe në ofendime mes tyre, ku Logu u shpreh se do të kërkonte përjashtimin e antëtarit të KAS, madje e akuzoi për konflikt interesi.

Debati:

Logu: U tha që administrata mund t’jua verë në dispozicion. Nëse doni që të njëjtën pamje t’jua sjellim ne, patjetër.

Lako: Kjo kërkohet sepse administrata mund ta kqyrë dhe sipas syrit të tyre, mund të thonë që nuk ka asnjë problem. Meqë ju ngrini një pretendim që ka pasur shkelje, të na i paraqisni, ta shikojmë dhe të vendosim.

Logu: Pamjet për të cilat kemi pretendime, do t’jua vendosim në dispozicion.

Rusmali: Pamjet filmike nuk vihen bruto në dispozicion, se nuk i qërojmë neve. Na nis time code, në minutën kaq, sekondin kaq, është një votë… të gjitha me tabelë! Që ne ti shohim dhe t’i verifikojmë. Nuk është puna se e duam USB-në prej teje dhe nuk e duam nga adm. Ti je djalë i ri dhe gabon vazhdimisht. Por, nuk ka rëndësi kjo. Kjo është procedura e këtij institucioni dhe fodullin mos e bëj këtu.

Logu: Unë kërkoj procedurialisht që Rusmali të përjashtohet nga shqyrtimi i të gjitha kërkesave që ka bërë PD, pasi nuk siguron paanshmëri në këtë proces. Ka edhe konflikt interesi që ne do ta demonstrojmë. Këto fjalët fodullëk etj. etj. mbaji për vete. Dhe kërko falje se unë nuk të ofendova. Të ruajë etikën zotëria.

Ndërkohë drejtoresha Pavlina Doçaj u shpreh ndër të tjera se nuk ka pasur prova të forta që të faktojnë ndryshimin e rezultatit përfundimtar. Edhe përfaqësuesja ligjore e PS-së, Elena Xhinaj, u shpreh se PD-ADSHM nuk kishte dorëzuar asnjë provë që fakton parregullsinë e zgjedhjeve në Dibër dhe janë vetëm pretendime.

Lajme të tjera |  Rrëfimi i gjeneralit që u bë President/ Moisiu flet për herë të parë për Mehmet Shehun, fortifikimin e Sazanit dhe tensionet me Greqinë!

Gjatë kësaj mbledhje KAS dëgjoi dhe përfshiu materialet e dorëzuara nga PD-ADSHM, e cila pretendon se janë prova që çojnë tek rrëzimi i zgjedhjeve në qarkun Kukës. Të gjitha këto pretendime provash KAS do i analizojë para se të shprehet për vendim. Nuri këmbënguli tek vënia në dispozicion të disa të dhënave të kryqëzuara nga PEI për Kukësin. Në fund të mbledhjes, pasi u dëgjuan pretendimet e opozitës për provat e paraqitura, KAS mbylli dhe shtyu mbledhjen për të hënën e 2 qershorit, si ditën e fundit të diskutimit për këtë ankimim dhe shpalljen e vendimit final. Aktualisht KAS po zhvillon mbledhjet për qarqet Kukës, Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe Dibër, ndërsa në proces ka edhe të tjerat.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us