Indrit Bytyçi, kushëriri i Entilo Drajçit, bashkëshortit të 18-vjeçares Bruna Myzeqari, e cila vendosi të vetëhelmohej, ka treguar se si e kanë marrë vesh lajmin e kobshëm. Në një prononcim për kamerat, Bytyçi thotë se ka qenë i ulur në një bar kafe me Drajçin, kur Myzeqari ka njoftuar të shoqin dhe i ka thënë se ka konsumuar fostoksinë. Ai tregon se bashkë e kanë dërguar në spital, por helmi ka bërë efekt shumë shpejt dhe 18-vjeçarja ka ndërruar jetë.
“Ajo i shkruajti mesazh që piva fostoksinë. Ai i shkruajti mos guxo dhe ne u nisëm me vrap për te goca. E gjejmë në këmbë, ishte mëse normale, duke qeshur dhe me gotë uji në dorë. E pyet e ke pirë apo jo, ajo e pohoi pastaj ne e morëm direkt për në spital, gati sa nuk bëmë aksident. Djali ishte te lokali, sa e lamë në shtëpi, punë minutash…Sa u ulëm, vajza i shkruan mesazh,”- tregon ai.
Viktima 18-vjeçare dhe djali 24-vjeçar ishin njohur 2 vjet më parë në rrjetet sociale. Policia e Fierit po heton në gjendje të lirë djalin. Atij i është marrë telefoni dhe është pyetur në lidhje me ngjarjen. Dyshimet janë se e reja e ka ndërmarrë veprimin pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëshortin e saj, por familjarët pretendojnë se ka pasur dhe bullizim në shkollë.