“Po dëmtohet turizmi”, Dhoma Amerikane ngre shqetësimin: Shkak mungesa e ujit dhe ndotja

Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë që të marrë masa për të mbrojtur turizmin, i cili po dëmtohet nga probleme të shumta, nga uji i pijshëm që mungon në disa zona, ndotja apo mungesa e stafit të kualifikuar.

Në hartën globale të udhëtimeve, Shqipëria vijon të lakohet si “Perla e Mesdheut”. Por pas imazhit të kuruar të reklamave dhe pamjeve të mrekullueshme nga ajri, realiteti në terren është më kompleks.

Turizmi shqiptar po përballet me sfida të vjetra që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura: mungesa e ujit të pijshëm në disa zona, mbetjet e pa-menaxhuara që shpesh digjen hapur, dhe ndotja që nuk fshihet dot nga sytë e pushuesve të huaj.

“Informacionet e përcjella nga anëtarët tanë, pjesë e këtij sektori, flasin për zona bregdetare ku vazhdojnë të mbeten shqetësuese mungesa e ujit të pijshëm, keqmenaxhimi i ujërave të zeza, djegia e mbetjeve në landfille apo vazhdimi i aktiviteteve të ndërtimit edhe gjatë sezonit turistik, duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin e strukturave akomoduese, por edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe turistëve në këto komunitete.”

Turistët vijnë për diellin, detin e ngrohtë … por shpesh përballen me një shërbim të ftohtë. Në një industri ku detaji bën diferencën ngre shqetësimin Dhoma Amerikane e Tregtisë, mungesa e stafit të trajnuar po kthehet në pikën më të dobët të turizmit shqiptar.

“Mungesa e një stafi të trajnuar ka vënë në vështirësi shumë biznese turistike, duke rrezikuar njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion turistik krahas vendeve të tjera të rajonit.”

Turizmi është kthyer në një motor të rëndësishëm për ekonominë shqiptare – jo vetëm për bizneset e mëdha, por edhe për mijëra familje që mbajnë jetesën nga sezoni veror. Por ky motor rrezikon të zhurmojë më shumë sesa ecën, nëse institucionet nuk reagojnë me kohë.

“Me dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e një sektori prioritar për vendin, ne kërkojmë vëmendjen e Qeverisë, pushtetit lokal dhe institucioneve përkatëse për t’i adresuar këto problematika, duke ndihmuar kështu jo vetëm bizneset, por edhe fuqizimin e këtij momentumi pozitiv për imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje.”

Bizneset amerikane kërkojnë nga qeveria, pushteti lokal dhe institucionet vendase të marrin masa për të adresuar këto problematika që po kthehen në problem për këtë sektor prioritar të ekonomisë.

Lajme të tjera |  “Në 11 maj nuk pati zgjedhje”, Dule fajëson dhe Berishën: Dështuam se edhe njerëzit tanë u blenë

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us