Femi Trijumfi dhe Mevljudin Sediu, përkatësisht 37 dhe 27 vjeç, të dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, janë shpallur në kërkim pasi i kanë djegur makinën një vajze që banonte në zonën e Astirit në Tiranë. Por, dy të rinjtë, kanë vepruar me urdhër të ish-dashurit të të resë.
Gazetari Sokol Dema shkruan për Shqiptarja.com se e reja ka qenë e lidhur me një shqiptar të Maqedonisë së Veriut, me të cilin dhe jetonte në Zvicër. Mirëpo, ajo është ndarë dhe është kthyer në Tiranë bashkë me makinën e saj, tip “Audi” me ngjyrë të bardhë. Ish-i dashuri e kishte kërcënuar të renë që nëse do ta linte, do t’i digjte makinën, por e reja nuk e kishte marrë seriozisht.
Gjatë natës së 4 janarit, ai realizoi planin përmes Trijumfit dhe Sediut që i kishte nisur nga Maqedonia e Veriut. Të dy autorët janë kthyer në vendin e tyre përmes Qafë Thanës.
Ata u identifikuan nga kamerat e sigurisë që tregonin dy persona të cilët afroheshin pranë makinës tip “Audi” me ngjyrë të bardhë, të cilës i vunë flakën dhe u larguan. Ata tashmë janë shpallur në kërkim, ndërsa identiteti i kësaj vepre penale, nuk është bërë ende publik.