Problemet gjeopolitike dhe territoriale hedhin hije mbi futbollin ndërkombëtar. Ndeshja e Nations League mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre disa minuta para përfundimit, ndërsa rezultati ishte ende 0-0.
Lojtarët kosovarë vendosën të braktisin fushën për shkak të thirrjeve provokuese nga tifozët vendas, të cilët brohorisnin për Serbinë –shteti që kreu një gjenocid të vërtetë mbi shqiptarët e Kosovës. Vendimi për të braktisur fushën u drejtua nga kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, që përfundoi në qendër të akuzave për “paramendim” të zgjedhjes së bujshme. “Është hera e dytë që ndodh në Rumani. Ishte e tepërt”.
Ndeshja e Nations League mes Rumanisë dhe Kosovës, e cila u zhvillua të premten mbrëma, u ndal në minutën e 93′. Tensionet shpërthyen kur tifozët vendas filluan të brohorasin “Serbi, Serbi”, duke krijuar një atmosferë të tensionuar pas një incidenti mes lojtarëve Alibec dhe kapitenit të Kosovës Rrahmani. Qendërmbrojtësi i Napolit atëherë vendosi për kthimin në dhomat e zhveshjes, duke e konsideruar situatën të papranueshme.
Pas një pritjeje njëorëshe, arbitri danez Krogh deklaroi përfundimin e ndeshjes, pasi lojtarët e Kosovës nuk u rikthyen në fushë. Vetëm ekipi i Rumanisë u rikthye, ndërsa arbitri raportoi incidentin. UEFA publikoi një komunikatë zyrtare: “Ndeshja e UEFA Nations League mes Rumanisë dhe Kosovës është pezulluar. UEFA do të japë informacione shtesë në kohën e duhur”.
Rrahmani e Lucescu, akuza reciproke
Pas ndeshjes, polemikat u intensifikuan me deklarata nga të dyja palët. Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, theksoi: “Filluan të thërrasin ‘Serbi, Serbi’, dhe pas një minute i gjithë stadiumi e përsëriti sërish. Më pas filloi një brohoritje e tretë dhe arbitri nuk reagoi. Ishte e tepërt. Tani mjaft. Është hera e dytë që ndodh në Rumani dhe duhet të ndalojë”.
Nga ana tjetër, trajneri i Rumanisë, Lucescu, kritikoi sjelljen e lojtarëve të Kosovës: “U sollën në mënyrë të turpshme. Ndeshja duhet të përfundojë në fushë. Kishte provokime të dukshme nga lojtarët ndaj tifozëve. Një sjellje e tillë është e papranueshme – gjëmoi Lucescu pas ndeshjes -. U pa që provuan ta bënin kështu, sepse në lojë ishte një kualifikim i rëndësishëm. Ata luajtën shumë mirë, mund të kishin fituar. Patëm një portier të jashtëzakonshëm” e mbylli tekniku, duke iu referuar detyrimit për 3 pikë nga Kosova për të shpresuar te kualifikimi.
Reagimi i futbollistëve të Kosovës e akuzat për paramendim
Një situatë e tensionuar, që ka shpërthyer polemika të ndërsjella. Dardanët e konsiderojnë të patolerueshme atë që ndodhi dhe koret e tifozëve, ndërsa rumunët shënjestruan kapitenin Rrahmani e të tjerë lojtarë të kombëtares së Kosovës. Përballë thirrjeve provokuese të tifozëve rumunë, lojtarët e Kosovës u kundërpërgjigjën me gjeste si shenja e shqiponjës me duar, simbol i shqiptarisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pamje të tjera të shpërndara në internet treguan lojtarët kosovarë që diskutonin nëse do të vazhdonin ndeshjen, ndërsa reagimet e tyre ndaj tifozëve u konsideruan të papërshtatshme dhe provokuese.
Këto episode përshkallëzuan situatën, e cila tani është në dorë të UEFA-s për të vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.