Këtë janar Policia e Shtetit kremtoi 111 vjetorin e krijimit.
Në më shumë se një shekull janë pafund ata që kanë veshur uniformën e efektivit e kanë dhënë kontribut të çmuar për shtetin e shoqërinë.
Abedin Koçi është një prej tyre.
Ai iu bashkua forcave të rendit në Librazhd në vitet e para të demokracisë.
Thotë se ndërrimi i sistemeve politike solli situata që ishin vështirë të menaxhueshme. Në jo pak raste rrezikohej edhe jeta.
Parandalimi i ngjarjeve kriminale ishte i vështirë për shkak të mungesës së mjeteve të komunikimit.
Vite më herët ka ushtruar detyrën e magazinerit ku furnizonte me materiale postat e policisë kufitare.
Shumë prej tyre ndodheshin në terrene të vështira.
Atë kohë, Abedin Koçi thotë se qëndronte me muaj larg shtëpisë dhe familjarëve.
Pavarësisht sakrificave Koçi shprehet se punonjësit e policisë nuk janë vlerësuar sa duhet.
Abedin Koçi është në moshë pensioni por ditët e kaluara në shërbim i kujton shpesh, ndihet krenar dhe i lumtur që në gjurmët e tij po ecën dhe biri që prej vitesh ka veshur uniformën e policit.