Popullsia e botës u rrit me 75 milionë njerëz gjatë vitit 2023 dhe në ditën e Vitit të Ri do të jetë më shumë se 8 miliardë njerëz, sipas shifrave të publikuara nga Byroja e Regjistrimit të SHBA të enjten.
Norma e rritjes në mbarë botën në vitin e kaluar ishte vetëm 1%. Në fillim të vitit 2024, sipas shifrave të Byrosë së Regjistrimit, priten 4.3 lindje dhe dy vdekje në mbarë botën çdo sekondë. Norma e rritjes për Shtetet e Bashkuara në vitin e kaluar ishte 0.53%, rreth gjysma e shifrës botërore. SHBA shtoi 1.7 milion njerëz dhe do të ketë një popullsi në ditën e Vitit të Ri prej 335.8 milionë banorë.
‘Nëse ritmi aktual vazhdon deri në fund të dekadës, vitet 2020 mund të jenë dekada me rritje më të ngadaltë në historinë e SHBA, duke dhënë një normë rritjeje prej më pak se 4% gjatë periudhës 10-vjeçare nga 2020 deri në 2030’, tha William Frey. një demograf në Institutin Brookings. Kjo është dekada me rritjen më të ngadaltë pas Depresionit të Madh në vitet 1930, kur norma e rritjes ishte 7.3%. “Sigurisht që rritja mund të vijojë pak, ndërsa largohemi nga vitet e pandemisë. Por do të ishte ende e vështirë për të arritur në 7.3%”, tha Frey.
Në fillim të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara pritet të përjetojnë një lindje çdo nëntë sekonda dhe një vdekje çdo 9.5 sekonda. Megjithatë, imigrimi do ta shpëtojë popullsinë nga rënia. Migrimi neto ndërkombëtar pritet të shtojë një person në popullsinë amerikane çdo 28.3 sekonda. Ky kombinim i lindjeve, vdekjeve dhe migrimit ndërkombëtar neto do të rrisë popullsinë e SHBA me një person çdo 24.2 sekonda