Ndërsa Samiti Evropian i dha fund punimeve, kancelari gjerman Olaf Scholz pranoi se ishte ai që e bindi homologun e tij hungarez Viktor Orban të largohej përkohësisht nga dhoma e Këshillit gjatë diskutimeve për Ukrainën, duke e konsideruar si një zgjidhje universale.
Kjo i lejoi 26 liderët e tjerë të merrnin vendimin historik njëzëri. Rregullat e BE-së thonë se unanimiteti mund të përmbushet edhe nëse mungon një lider që do të thotë se Orbán mund të thotë ende se nuk ka votuar pro hapjes së negociatave.
Lëvizja e kancelarit gjerman ka habitur shumë në Bruksel, raportojnë mediat e huaja. Por kjo lëvizje, sipas fjalëve të Scholz-it, nuk mund të bëhet e zakonshme.
“Gjërat nuk mund të zgjidhen çdo herë duke dalë nga dhoma. Kjo është për raste të jashtëzakonshme, si për shembull, vendimi që sapo kemi marrë,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz, në një deklaratë për mediat.
Udhëheqësit evropianë Ursula von der Leyen dhe Charles Michel shprehën besimin se do të jenë në gjendje të arrijnë konsensusin apo edhe të kapërcejnë pozicionin e Viktor Orbanit në të ardhmen, veçanërisht, në çështjen e dhënies së ndihmës prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën të cilën Orban e bllokoi.
Megjithatë, Charles Michel përmblodhi vendimin për të ndriçuar rrugën evropiane për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën si një mesazh politik shumë të fuqishëm dhe një mesazh shprese.