Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dorëzuar kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, me një tjetër më të butë. Në dokumentin e dorëzuar në GJKKO, avokati i Metës, Kujtim Cakrani pretendon se në rastin “Meta” janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion 2-mujor mbi çështjen. Po ashtu, njoftoi se çështja për lirimin e Metës, do të dërgohet edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke marrë si precedent rastin e Thoma Gëllçit.
Në rastin konkret ndaj kërkuesit Ilir Metaj, edhe pse prej 8 muajsh ndodhet nën masën e sigurimit “arrest me burg”, organi procedurës si rregull duhet të kishte paraqitur në gjykatë 4 raporte verifikimi, pra duhet të kishte informuar gjykatën dhe personin nën hetim 4 herë. Në këtë situatë krejt të pa justifikueshme nga ana e organit procedurës, kemi krijuar bindjen se, ky organ nuk ka kryer anjë hetim dhe nuk ka administruar asnjë provë lidhur me ndonjë avancim apo thellim të mundshëm të hetimeve për ta inkriminuar shtetasin Ilir Metaj,“-shkruhet ndër të tjera në dokumentin e dorëzuar në Gjykatën e Posaçme.
DOKUMENTET:
Meta është vendosur në pranga që prej tetorit. Si presidenti i Partisë së Lirisë, edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut “313” në Tiranë. Edhe pse kishte mundësinë që të transferohej në burgun e Fierit, ku ka masa më të buta sigurie, Meta zgjodhi që të qëndronte në Tiranë për të pasur mundësinë që të takohej me familjarët dhe eksponentë të Partisë së Lirisë.