Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat ka folur mbi dekretimin që presidenti Bajra, Begaj i bëri ligjit të ri për komisionet hetimore parlamentare. Bardhi e akuzoi Begajn se po sillet si një drejtor i qeverisë Rama, dhe se nuk është ngritur në lartësinë që e kërkon detyra mbi palët.
“Nëse lexoni njoftimin e Presidentit do të gjeni parimin që presidenti ka mbi zbatimin e kushtetutës. Shpallja e ligjit sot është bërë në parimin që nëse Rama do të jepte dakordësinë për ta rishikuar, presidenti do gjente argumente kushtetues për ta kthyer ligjin.
Këtë thotë njoftimi i presidentit, i cili ndër të tjera citon edhe një të pavërtetë, që thotë se opozita ka shmangur një dialog politik. E vërteta është që opozita prej tre muajsh është në betejë në Kuvend për të kërkuar të drejtat dhe në cdo mesazh që kemi përcjellë kemi shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje.
Ka qenë mazhoranca ajo, që nuk ka patur asnjë reflektim, por në të kundër ka shtuar masat arrogante ndaj opozitës. Prandaj dhe Begaj pas sjelljes së tij të hënën, unë e kam njoftuar kabinetin e Presidentit, mbi atë që do të bënim në seancë dhe ishte zgjedhja e tij që të keqpërdorej nga Rama”, u shpreh Bardhi, ndërsa foli dhe për praninë e Begajt në seancën e të hënës në Kuvend, ku nuk munguan përplasjet.
“Unë e kisha njoftuar presidentin për aksionin e opozitës, dhe ai sërish zgjodhi që të ishte në Kuvend. Nuk kishte asnjë element surprizë në sjelljen tonë. Zgjodha një rrugë që ta njoftoja për të shmangyr çdolloj përplasje me institcionin e presidentit. Sot presidenti humbi përfundimisht shansin që të jtë mbi palët. Sot presidenti nja tha se që kur ai të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese, duhet të marrë leje nga Edi Rama.
Vetë Presidenti kishte konstatuar problematika në ligjin për Komisionet, por thotë vetëm nëse do të bjerë dakord mazhoranca me opozitën. Dua të shpreh keqardhjen që presidenti ende nuk e ka kuptuar rolin kushtetues, që ka presidenti në rikthimin e një ligji në Kuvend. I bëj thirrje presidentit që të ngrihet në lartësinë e detyrës, duhet të sillet si përfaqësues i unitetit të popullit, se nuk është një drejtor i Edi Ramës”, tha më tej Bardhi.
Gjatë ditës së sotme, presidenti Begaj dekretoi ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore parlamentare, ku kërkoi edhe njëherë që palët të ulen dhe të vazhdojnë negociatat për të gjetur zgjidhje kompromisi, duke theksuar se pikërisht këtë u kishte kërkuar edhe më herët deputetëve të Partisë Demokratike.
Edhe pse nuk e përmendi me emër, përgjigja ishte për kreun e grupit parlamentar, Gazment Bardhi, pasi ishte pikërisht ai që i kërkoi Begajt që të mos e dekretonte ligjin e ri. Po sot, për diskutimet e fundit para se të firmoste mbi letër, Begaj kishte ftuar Bardhin dhe deputetët e tjerë të Partisë Demokratike për t’u konsultuar në Presidencë, por asnjë prej tyre nuk shkoi në takim. E vetmja që u pa të dilte nga Presidenca sot ishte deputetja Jorida Tabaku.