Prezantohej si Kryebashkiaku i Tiranës/ Si 26-vjeçari tentoi t’i marrë biznesmenit 50 mijë euro, kapet në flagrancë

Një skemë mashtrimi është zbuluar në Tiranë, ku një 26-vjeçar është arrestuar në flagrancë, duke i marrë administratorit të një biznesi privat shumën 20 mijë euro, nga 50 mijë euro që i kishte kërkuar. Shkëlqim Saraçi prezantohej si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa komunikonte me administratorët e bizneseve përmes aplikacionit ‘Signal’. 26-vjeçari u arrestua në flagrancë gjatë takimit për të marrë shumën e parë, ku u sekuestruan 20 mijë euro, 3 celularë dhe 1 automjet. Në lidhje me rastin është shpallur në kërkim organizatori i dyshuar, shtetasi L. D., 24 vjeç.

Arrestimi

26-vjeçari i ka kërkuar fillimisht shumën 50 mijë euro. Biznesmeni ka bërë denoncimin në Policinë e Tiranës, e cila ka vënë në lëvizje Seksionin Kundër Krimit Ekonomik dhe agjentët duket se kanë udhëzuar biznesmenin se si duhej të vepronte, duke i ngritur kurthin 26-vjeçarit. Në këto kushte, duket se biznesmeni i ka kthyer përgjigje 26-vjeçarit, duke pranuar t’i japë 20 mijë euro, në një vend takim të përcaktuar prej tij, dhe që monitorohej nga agjentët e policisë.

Lajme të tjera |  Në prag të zgjedhjeve, Qeveria fal të gjitha gjobat që nga viti 2015

Njoftimi i policisë:

Finalizohet një tjetër operacion me objektiv goditjen e përfitimit nëpërmjet mashtrimit, të shumave të konsiderueshme të parave. Operacioni policor i koduar “Apps” arrestoi në flagrancë një 26-vjeçar, teksa po i merrte administratorit të një subjekti privat, 20000 euro, pas mashtrimit në aplikacione të ndryshme, duke u prezantuar si funksionar i lartë shtetëror.

Punohet për kapjen e organizatorit të këtij rasti, të identifikuar tashmë nga Policia. Sekuestrohen 20000 euro, 3 celularë dhe 1 automjet. Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Apps”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Sh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë.

26-vjeçari u kap në flagrancë ndërkohë që po i merrte administratorit të një subjekti privat, të cilin e kishte mashtruar në aplikacione të ndryshme, 20000 euro. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim organizatori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. D., 24 vjeç.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas, duke u prezantuar si funksionarë të lartë shtetërorë, i kanë kërkuar administratorit, 50 000 euro. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit L. D., i cili nga verifikimet rezulton se është jashtë shtetit, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us