Partia Demokratike që përfaqësohet nga grupi i Rithemeimit, ka thirrur protestën e parë qytetare këtë të hënë të 5 Shkurtit, e cila do të zhvillohet jashtë ambienteve të Kuvendit. Orari i protestës është lënë i njëjtë me atë të seancës pleanre, rreth orësh 17:00, ku në njërën anë deputetët do të vijojnë revoltën në sallë, dhe nga ana tjetër qytetarët dhe simpatizantët janë thirrur që ti mbështesin në rrugë.
Rreth 20 deputetë të opozitës janë përjashtuar nga seanca e sotme plenare, për shkak të akteve të dhunshme në seancat e kaluara. Kjo pritet që të bëhet shkak dhe për përplasjen e tyre me punonjësit e gardës, të cilët nuk do të duhet që ti lejojnë që të hyjnë në sallën e seancave plenare. Sipas opozitës, mazhoranca është duke shkelur të drejtat e tyre kushtetuesese.
Mbledhja e sotme e Parlamentit do të fokusohet vetëm te diskutimet për problemet e qytetarëve dhe nuk ka ligje që duhen miratuar e në kushtet kur opozita do të bllokojë foltoren, pritet që seanca të zgjasë vetëm pak minuta. Protesta më pas pritet që të zhvendoset nga Kuvendi pranë pallatit ku jeton ish-kryeministri Sali Berisha, i cili që prej datës 30 Dhjetor gjendet nën masën e arrestit të shtëpisë.
Në mbledhjen e pak ditëve më parë, të Këshillit Kombëtar të “Rithemelimit”, anëtarët ranë dakord që protestat të shtrihen në të gjithë vendin. Por deri tani ky aksion duket se do të kufizohet vetëm tek demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, pasi deputetët e Gazment Bardhit nuk do të marrin pjesë në këto protesta e po ashtu do të mungojnë edhe aleatët e PD-së.
Protesta e fundit që opozita zhvilloi ishte në 27 dhjetor para Gjykatës së Lartë në prag të vendimit për logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Nëse seanca e sotme nuk pritet që të ketë shumë surpriza, të enjten deputetët i pret një seancë e rëndësishme, ku në mesin e projektligjeve që do të diskutohen është ai për rikthimin e basteve sportive online.
Për këtë ligj, mazhoranca i ka votat, pasi duhet shumicë e thjeshtë, por të tjera nisma kanë mbetur peng në Kuvend për shkak se PS-së për t’i kaluar i duhen edhe votat e opozitës, siç janë pagat e Gjyqtarëve të Kushtetueses, amnistia penale apo zgjedhja e avokatit të popullit.