Policia serbe u përplas të shtunën në mbrëmje me protestuesit antiqeveritarë, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe fundin e sundimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksandër Vuçiç. Godinat qeveritare u rrethuan me policë, ndërsa paralelisht në protestë ishin mbledhur edhe turma mbështetësish pro Vuçiçit.
Pasi protesta përfundoi rreth orës 22:00 dhe disa protestues që kërkonin të përballeshin me mbështetësit e Vuçiçit hodhën flakadanë ndaj policisë, ndërsa kjo e fundit përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë përpara një kordoni policor afër Presidencës së Serbisë.
Si pasojë, disa protestues u ndaluan, si dhe se gjashtë policë dhe dy qytetarë u plagosën në përplasjet që ndodhën.
Më herët gjatë ditës janë organizuar dy protesta: njëra nga studentët që i kanë bllokuar universitetet në nivel shtetëror prej fundit të vitit 2024 dhe kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dhe tjetra nga ata që deklarojnë se e mbështesin presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pasi protesta e studentëve, e mbajtur në sheshin Sllavija u shpall zyrtarisht e përfunduar, një grup i protestuesve të maskuar është përleshur me policinë në kryeqytetin serb. Protestuesit u përplasën me policinë në Parkun Pionirski dhe në Kralja Milan. Ata janë parë duke hedhur shishe, flamuj, shkopinj druri e flakadanë drejt zyrtarëve policorë. Mediat serbe raportojnë se një polic ka mbetur i lënduar.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i ka dënuar ashpër “sulmet e pjesëmarrësve në marshin në sheshin Sllavija ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme”. Ai ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të rikthyer rendin publik dhe që të gjithë ata që e kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht.
Vuçiç ka refuzuar më parë të shpallë zgjedhje të parakohshme. Koalicioni i drejtuar nga Partia e tij Progresive mban 156 nga 250 vendet në parlament.
Të shtunën, Vuçiç deklaroi se “fuqi të huaja” të papërcaktuara qëndrojnë pas protestës. Ai tha se policia duhet të tregojë përmbajtje, por paralajmëroi se dhuna nuk do të tolerohet.
“Vendi do të mbrohet dhe banditët do të përballen me drejtësinë”, u tha ai gazetarëve në Beograd.