Banorët e 7 fshatrave në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kundërshtojnë ndërtimin e dy hidrocentraleve. Edhe sot, ata kanë vijuar me protestat për të mos lejuar ndërtimin e dy hidrocentraleve në përroin e Lusës, i cili rrjedh nga liqeni i Balgjait. Në tubimin e sotëm, banorët e zonës kërkuan më shumë informacion sesi do të bëhen ndërtimet, duke shtuar uji është i domosdoshëm për ta. Duke u shprehur kundër ndërtimit të këtyre dy HEC-eve, ata shtojnë se kështu do të kenë privime në ujin e pijshëm dhe atë për vaditje.
DEKLARATA E BANORËVE:
-Ne jemi mbledhur për të kërkuar më shumë transparencë. Banorët janë të irrituar sepse të gjithë pretendojnë se u cënohet uji i pijshëm dhe uji vaditës.
-E vetmja pasuri që kemi është ky përrua. Me këtë ne jetojmë. Nuk ka mbetur gjë përveç këtij përroji. Po të na marrin ujin, ne më mirë të na marrin shpirtin.
Në mbështetje të banorëve ishte edhe ish-kryebashkiaku socialist që u shpall fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Agron Malaj.
Agron Malaj: Unë jam me banorët do të nisin një nismë. Ka shumë polemika, unë jam me banorët sepse ka parregullsi në dëgjesat publike në këtë proces për t’i shkuar deri në fund për të parë sesi është e vërteta.
Ndërsa anëtari i Këshillit të Bashkisë Klos, Gentian Gjinaj tha se futja e ujit në tuba për HEC-e do të ishte fundi i jetës në këto fshatra, ndaj do të përdoret çdo mekanizëm për ta ndaluar.
“Jemi mbledhur këtu për të kërkuar më shumë transparencë. Si do ndërtohen, kush do t’i ndërtojë, çfarë projektesh janë. Banorët janë të irrituar sepse pretendojnë se u rrezikohet uji i pijshëm dhe ai vaditës,”- tha Gjinaj.
Banorët paralajmëruan vijimin e rezistencës së tyre si dhe kërkuan nga institucionet vendore e qëndrore të ndalin zbatimin e projektit.