Marrja e një mandati të katërt qeverisës radhazi nga një parti politike në Shqipëri, përbën të parën herë që nga zgjedhjet pluraliste të vitit 1991 në atë që DW e përshkruan si “precedent historik për vendin”. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, pas numërimit të rreth 60% të kutive të votimit, tregojnë një epërsi të qartë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, e cila ka siguruar 52.5% të votave.
Partia Demokratike dhe aleatët e saj grumbulluan 33.9% të votave, forcë e tretë në Kuvend pritet të jetë Partia Socialdemokrate e Tom Doshit me tri mandate, ndërsa për herë të parë, tri formacione të reja politike – “Mundësia” e Agron Shehajt, “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit – janë në kufirin e votave për të siguruar nga një deputet secila.
Kjo është panorama post-zgjedhore, e përmbledhur thjesht në një shkrim ku pasqyrohen në të njëjtën mase edhe akuzat e kreut të PD-së, Sali Berisha, për parregullsi dhe manipulime, për zgjedhje të zhvilluara në kushte të pabarabarta dhe të ndikuara nga veprime të qeverisë që, sipas tij, synonin të orientonin votën, ndërsa pa sqaruar qartë nëse ka në plan apo jo ta kontestojë rezultatin, insistoi vetëm se do të presë të dhënat përfundimtarë “për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të përcaktuar qëndrimin tonë.”
Nënvizohet po kështu edhe raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, që fliste për zgjedhje të qeta e të menaxhuara mirë, por me mangësi në aspektin e barazisë në garë, e ku u vlerësua në mënyrë të veçantë roli i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në hetimin e krimeve zgjedhore./DW
Deri tani SPAK-u ka hapur 39 çështje lidhur me zgjedhjet e 11 majit: 33 prej tyre për korrupsion aktiv në zgjedhje, katër për korrupsion aktiv dhe pasiv, një për përdorim të funksionit publik për qëllime politike dhe një për shpërdorim detyre./DW