Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste, ka arritur të sigurojë me një rezultat të fortë mandatin e tij të katërt. Por disa deputetë me karrierë të gjatë parlamentare dhe funksionarë të lartë politikë nuk fituan besimin e qytetarëve, duke ngelur kështu jashtë Parlamentit të ri.
Ndër më të vjetrit përmendim, Pandeli Majkon, një figurë e njohur dhe e respektuar te socialistët me një kontribut dhe vite të tëra pune te të majtët. Po ashtu Mimi Kodheli, gruaja e parë që u emërua në postin e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë në mandatin e parë të Ramës, nuk mundi që të grumbullonte mjaftueshëm vota për të kaluar kolegët e saj socialistë.
Konkretisht në qarkun e Tiranës, nga radhët e Partisë Socialiste, jashtë mbeten: Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Toni Gogu.
Edhe në Shkodër, Benet Beci i cili fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit. Po ashtu edhe ish-ministrja Edona Bilali, ngeli jashtë.
Ndërkohë, në Kuvend hyjnë emra të rinj dhe ende të panjohur për publikun, si Sara Mila në Elbasan – kandidatja me më shumë vota në rang kombëtar, Zegjine Çaushi në Fier dhe Marjana Koçeku në Shkodër, e njohur si “Neomalsorja” në rrjetet sociale, kandidate e PS-së në listë të mbyllur.