Gazment Bardhi thotë se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të cilat u miratuan nga mazhoranca mes tensioneve do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi tha për gazetarët se nuk do t’i binden asaj rregullore për të cilën nuk kanë rënë dakord, duke theksuar se ndryshimi i saj u bë në mënyrë të njëanshme dhe të dhunshme.
“Kuvendi është salla e rojeve private të Edi Ramës. Rama ka nevojë për forca sigurie që të ushtroje funksionet e tij. Sot në një atentat të vërtetë ndaj parlamentarizmit, është ndryshuar seti i rregullave që garanton bashkëjetesën mes palëve në Kuvend. Ndryshme që bien ndesh me kushtetutën e Shqipërisë.
Vendimi i sotëm antikushtetues i pezullimit pa asnjë shkak kushtetues i mandatit të deputetëve do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Ne nuk e njohim këtë ndryshim të dhunshëm të rregullores së parlamentit. Përveç ndjekjes së rrugës institucionale nuk do ti bindemi atyre rregullave që nuk kemi rënë dakord”, tha Bardhi.
Edhe pse e quajti të vonuar, Bardhi përshëndeti edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi marrëveshjen me Italinë për emigrantet.
“Dje u pezullua marrëveshja me Italinë, gjej rastin ta përshëndes këtë vendim të vonuar të GJK. Bëj thirrje për shqyrtim të paanshëm të kësaj marrëveshje antikushtetuese”