Shefi i Grupit Parlamentar tëPD Gazment Bardhi ka reaguar, në lidhje me faktin që Gjykata Kushtetuese, ende nuk ka marrë vendimin për të kaluar në seancë gjyqësore kërkesën e firmosur nga 30 deputetë opozitarë, që e cilësojnë marrëveshjen si antikushtetuese. Bardhi shprehet se në rast se GJK do të merrte në shqyrtim kërkesën, procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend do pezullohet.
Bardhi nënvizoi se ka dyshime të forta për bashkëpunim ndërmjet Edi Ramës dhe Gjykatës Kushtetuese. Kjo, pasi kryeministri Edi Rama ka urdhëruar Kuvendin që ta afrojë me një javë procedurën e miratimit të marrëveshjes në parlament, që të votohet nesër dhe jo më 21 dhjetor, siç ishte parashikuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Ai ka vlerësuar se anëtarët e GJK duhet që të heqin dorë nga bllokimi i kërkesave të opozitës dhe të marrin në shqyrtim kërkesën e deputetëve të opozitës, me qëllim që procedura parlamantare për votimin e marrëveshjes në Kuvend të pezullohet.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI
Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar.
Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme, datë 14 Dhjetor 2023.
Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjeson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit.
Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama. Asgjesimi i mundësisë së kontrollit kushtetuese, si një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës, është atentat ndaj shtetit ligjor dhe rrënon besimin e publikut tek paanësia dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.
Duke shprehur mospajtimin me mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimin flagrant të Kushtetutës prej saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ti përmbahen betimit për t’ju nënshtruar vetëm Kushtetutes dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës. Ata duhet të heqin dorë mënjeherë nga bllokimi i shqyrtimit paraprak në kohë të kërkesës së deputetëve të opozitës, duke urdhëruar përpara ratifikimit të nesërm pezullimin e procedurës parlamentare.
Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë i vetmi udhërrëfyes i veprimtarisë së anëtarëve të Gjyaktës Kushtetuese, dhe jo pengmarrja me projektligj apo premtimi korruptiv i Edi Ramës për rritje të shfrenuara të pagave të tyre, në këmbim të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe rolit që Gjykata Kushtetuese luan në një shoqëri demokratike.
Kujtojmë se më datë 6 dhjetor 2023, Partia Demokratike ka paditur në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen për emigrantët, nënshkruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe shefja e qeverisë italiane, Georgia Meloni.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama nënshkruan një marrëveshje për emigrantët në 6 nëntor. Italia do të ndërtojë dy qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët, që arrijnë në BE përmes detit. Marrëveshja do të zgjasë 5 vjet, por mund të shtohet edhe me 5 vite të tjera. Gjithashtu për të pritur emigrantët do të ndërtohet vetëm një qendër. Porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë