Pse protestat në Serbi nuk do të çojnë në ndryshimin e regjimit?

Nga Tatyana Kekic “The Spectator’

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka kopjuar këtë javë Vladimir Putin duke fajësuar Perëndimin për protestat popullore në vend, me synim diskreditimin e opozitës. Protestat mbi manipulimin e zgjedhjeve shpërthyen në Beograd pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit.

Vucic dhe Partia e tij Progresiste e Serbisë (SNS), regjistruan një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare, duke marrë 48 për qind të votave përkundrejt vetëm 24 për qind të bllokut opozitar. Por rezultatet ishin më të ngushta në zgjedhjet për bashkinë e Beogradit, ku SNS fitoi vetëm me vetëm disa për qind më shumë se koalicioni opozitar, Serbia kundër dhunës (SPN).

Që nga ajo kohë, SPN-ja ka refuzuar të pranojë rezultatet e zgjedhjeve në Beograd dhe e akuzon SNS-në për fryrjen e listës së zgjedhësve dhe sjelljen e votuesve nga Republika Srpska në Bosnje për t’i pasur zgjedhjet në favorin e vet. Opozita organizoi 2 javë protesta, të cilat kulmuan të shtunën kur rreth 17.000 njerëz dolën në rrugët e Beogradit për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve.

Protesta përkoi me një rivotim të pjesshëm në 30 nga 8.000 qendra votimi, një gjest simbolik i qeverisë për të zbutur ankesat për manipulime. Kur SNS fitoi me një shumicë edhe më të madhe, Vucic deklaroi i ngazëllyer se partia e tij ishte shfajësuar: “Rezultatet e sotme janë rezistenca e njerëzve të zakonshëm ndaj përmbysjes së shtetit! Njerëzit duan të mbrojnë vendin e tyre”.

Ideja se shteti serb është i kërcënuar përputhet me narrativën e propaganduar nga zyrtarët e SNS se protestat janë versioni serb i kryengritjes së Maidan në Ukrainë, që solli rrëzimin e presidentit pro-rus Viktor Janukovich. Reagimi i parë i SNS ndaj protestave ishte deklarimi se “Maidan nuk do të ndodhë në Serbi”.

Lajme të tjera |  Gati për postin e deputetes! Dy zv.ministre japin dorëheqjen

Pasi protesta para bashkisë së Beogradit u shoqërua me disa akte dhune më 24 dhjetor, presidenti Vucic deklaroi në televizionin pro-qeveritar Pink TV, se fuqitë e huaja po përpiqeshin të orkestronin një revolucion shumëngjyrësh në Serbi.

Disa ditë më vonë, ai u shpjegoi shikuesve se përse përpjekje të tilla janë të destinuara të dështojnë: “Drejtuesit dhe aktivisitët e një ojq-je nuk e kanë problem të gjejnë jelekët fluoreshentë dhe as në ngrenë tenda në mes të rrugës. Gjithçka është e shkruar në manualet e revolucioneve shumëngjyrëshe.

Por ata kanë harruar diçka. Vetëm kjo nuk mjafton për të kryer revolucionin. Sepse ky i fundit nuk është teknikë apo matematikë. Por është thelbi dhe jeta…Nuk mund ta fitosh pushtetin me forcë kur ke një përqindje kaq të vogël mbështetjeje”.

Duke iu referua narrativës së “revolucioneve shumëngjyrëshe”, Vucic po synon të delegjitimojë protestat, dhe t’i bëjë thirrje ndjenjave shumë të përhapura anti-perëndimore në Serbi. Narrativa është: Të njëjtët njerëz që bombarduan Serbinë në vitin 1999 dhe që ia morën Kosovën Serbisë po përpiqen tani të destabilizojnë vendin.

Ashtu siç sillet Kremlinin, paralelizimi me Maidanin, është një truk i vjetër i përdorur nga autoritetet serbe. Zyrtarët thanë të njëjtën gjë edhe për protestat e mëdha që shpërthyen pas 2 masakrave të mëdha me armë që ndodhën në maj 2023. Edhe ato u denoncuan si një përpjekje për një “revolucion shumëngjyrësh”, dhe Vucic u zotua të parandalojë një tjetër “Euro-maidan” në Beograd.

Në Serbi mbizotëron ndjenja pro-ruse. E përditshmja serbe “Politika”, falënderoi kohët e fundit Rusinë për demaskimin e “planeve të Perëndimit për një Maidan në Beograd”. Ajo pretendonte se “qendrat perëndimore të pushtetit… nuk e pëlqejnë pozicionin ndërkombëtar të Serbisë… që nuk pranon njohjen e së ashtuquajturës Kosovë, dhe që nuk parashikon ndonjë ndryshim të politikës ndaj vendeve mike; Rusisë, Kinës, vendeve të Jugut Global”.

Lajme të tjera |  Tedi Blushi sulmon Braimllarin: Hyri në SPAK me teserën e PL-së, doli pastaj dhe tha “sa bukur është bërë Tirana”

Në një intervistë për “Sputnik” dhe “Russia 24”, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u shpreh se Serbia po paguante koston e mosbindjes ndaj kërkesës së Perëndimit: “Bashkoju sanksioneve kundër Rusisë, lësho Kosovën, njih pavarësinë e saj dhe pastaj do të pranohesh në BE. Në të kundërt, ata përpiqen të organizojnë një grusht shteti”.

Ndërsa opozita mund t’i ketë bërë thirrje BE-së që të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve, s’ka asnjë provë se Perëndimi është i interesuar për ndryshimin e regjimit në Serbi. Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i ka bërë thirrje opozitës “të respektojë vullnetin e popullit të shprehur në kutinë e votimit” dhe ka denoncuar dhunën më 24 dhjetor.

Por në dallim nga Maidani, këto protesta nuk ka gjasa të sjellin ndryshimin e regjimit. Tubimet në Beograd kanë qenë të vogla, madje krahasuar edhe me ato që pasuan masakrat e majit 2023. Shumica e njerëzve në Serbi vazhdojnë ta mbështesin presidentin Vucic dhe SNS.

Edhe nëse ka manipulime elektorale, është e vështirë që kjo të justifikojë epërsinë prej 22 për qind të qeverisë në zgjedhjet parlamentare. Tashmë opozitës i takon të shkojë përtej kritikës së saj thjesht negativiste ndaj elitës në pushtet. Ajo duhet të fitojë një mbështetje më të gjerë nga elektorati përtej bazës së saj kryesore në Beograd. Dhe duhet ta punojë fort për të ndërtuar një alternativë për Serbinë, pa u kërkuar politikanëve perëndimorë që të marrin anë, një plan ky i kotë, në një vend që përgjithësisht është dyshues ndaj Perëndimit.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us