Pse rreth 19 mijë pensionistë italianë zgjedhin të jetojnë në Shqipëri

Juljeta dhe Giuseppe kanë ftuar 11 mysafirë për darkën e Krishtlindjes. Të zotët e shtëpisë janë njohur në Napoli vite më parë dhe njësoj si 4,000 bashkatdhetarë nga Italia jetojnë në Durrës.
“Disa janë miq pensionistë italianë që banojnë pranë nesh, ndërsa të tjerët shokë e familjarë durrsakë”, tha Juljeta. “Çdo të shtunë, në katedralen ‘Shën Luçia’, famullitari e zhvillon meshën në gjuhën italiane dhe kisha është plot. Por herën e fundit frekuentimi ishte i ulët, pasi një pjesë e mirë kanë shkuar në Itali për festat e fundvitit me familjet e tyre”, tha për BIRN Juljeta Palumbo.

Numri i shtetasve nga Italia që jetojnë në vendin tonë u shtua vitet e fundit, pas marrëveshjes së qeverive të të dy vendeve, që mundëson anulimin e taksimit për pensionet italiane. “Marrëveshja dypalëshe këtu na mundëson defiskalizimin. Pra, pensionistët italianë që banojnë në Shqipëri nuk paguajnë taksa për pensionin italian”, tha për BIRN Giuseppe Palumbo, i cili mban detyrën e sekretarit nacional të Shoqatës së Italisë në Botë, AIM, duke shtuar se “për shkak të legjislacionit italian, pritet një ndryshim i marrëveshjes së mëparshme”.

Përvoja të tilla lehtësuese ishin krijuar më parë në Portugali, Bullgari, Tunizi, etj., por aktualisht këto vende kanë vendosur t’i mbyllin marrëveshjet për defiskalizimin dhe pensionistët po u drejtohen qyteteve shqiptare. Sipas Palumbos, sot në vendin tonë llogaritet një komunitet prej 19 mijë pensionistësh italianë, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë kryesisht në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër.

Lajme të tjera |  Ulen temperaturat, ja zonat ku termometri do të shënojë deri në -4 gradë Celsius! Rikthehen reshjet e shiut

Të moshuarve u shtohet edhe një grup i madh sipërmarrësish dhe të punësuarish nga Italia, të cilët punojnë në qytete të ndryshme shqiptare. Ata kanë krijuar jo pak miqësi me vendasit dhe në Durrës një gjë e tillë nuk është e vështirë për shkak të italishtes, që njihet masivisht nga të gjitha moshat. Por pensionistët italianë në Shqipëri nuk e kanë të lehtë të organizohen për veprimtari të përbashkëta dhe aq më shumë për të krijuar grupime apo shoqata.

Gaetano Castellon bashkatdhetarët e tij e quajnë “dekani” i italianëve në Durrës. Sipërmarrës për impiantet e gazit që nga viti 1992 në Vlorë, Tiranë dhe Durrës, 81-vjeçari është një nga frekuentuesit e shfaqjeve të të gjitha llojeve edhe në Durrës dhe kryeqytet, madje në oborrin e banesës së tij historike që prej tre vitesh organizon festën e 2 qershorit, Ditën e Republikës së Italisë.

“Mulliri i Bullgarit”, 6 km larg qytetit, është ndërtuar në fundin e shekullit të 19-të nga një grup mjeshtrash nga Sardenja, Itali. Sipas Gaetanos, ata sapo kishin përfunduar ngritjen e katedrales “Shën Luçia” në qendër të Durrësit, kishën katolike ku kanë kontribuar figura të rëndësishme të historisë sonë si Dom Nikoll Kaçorri apo Dom Vinçens Prendushi.

Gaetano është një nga italianët e shumtë të Durrësit që nuk flasin gjuhën shqipe, ndonëse prej shumë vitesh jetojnë në Shqipëri. “E vërtetë, por kur unë përpiqem të them diçka në shqip, menjëherë miqtë shqiptarë përgjigjen në gjuhën time”, justifikohet Gaetano. Miqtë e tij shqiptarë dhe të huaj festuan edhe kur presidenti i Republikës së Shqipërisë e nderoi atë me titullin “Për merita të veçanta civile”. Sipas marrëveshjes mes dy vendeve, pensionistëve italianë nuk u lejohet të punojnë në shtetin ku janë vendosur.

Lajme të tjera |  Këmbimi valutor 11 nëntor/ Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

Por disa prej tyre kanë gjetur mundësi për të qenë të vlefshëm. Angela, një zonjë 69-vjeçare, shkon çdo ditë në një nga qendrat e kujdesit shëndetësor dhe u vjen në ndihmë të moshuarve apo pacientëve që kanë nevojë. “Ndihem mirë kur më falënderojnë dhe, mbi të gjithë, bëhem e dobishme”, shton Angela.

Por jeta bën të vetën dhe tashmë në varrezat e Durrësit pushojnë përjetësisht edhe pensionistët e parë italianë. “Francesca Savoca, 65 vjeçe, ndërroi jetë para një muaji pas një ataku kardiak. Bashkë me të shoqin, që të dy nga Mesina, ata kishin punuar për vite me radhë në Lugano Zvicër”, tha znj Angela për BIRN.

“E varrosëm pranë të shoqit në varrezën e re të Durrësit, ashtu siç e kishte lënë amanet”, shtoi ajo. Edhe Giuseppe Palumbo nuk ka hequr dorë asnjë ditë nga pasioni i tij artistik. Në kuadër të një shoqate kulturore, ai dhe bashkëshortja kanë organizuar koncerte në Durrës, Sarandë dhe Gjirokastër. “Në amfiteatrin e Durrësit u krijua një atmosferë mjaft e bukur dhe, veç Juljetës, ishin ftuar edhe artistë nga Napoli”, tha Giuseppe. “Ne po punojmë për një binjakëzim kulturor mes Durrësit dhe Napolit”, përfundoi napoletani i dashuruar me Durrësin. /Birn

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us