Nga Eric Posner “Project Syndicate”
Amerikanët kanë qenë shqetësuar se presidentët e tyre mund të bëhen diktatorë (apo Tiranë si në kohët e vjetra) që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara. Hartuesit e Kushtetutës Amerikane e kuptuan se në demokracitë dhe republikat klasike, udhëheqësit përpiqeshin shpesh të merrnin pushtetin nga legjislaturat dhe asambletë e tjera.
Për këtë arsye ata krijuan një sistem kontrollesh dhe balancash mbi pushtetin e qeverisë.
Dhe në fakt asnjë president amerikan nuk ka qenë ndonjëherë diktator. Megjithatë, akuzimi i kandidatit të palës tjetër se po kërkon një pushtet diktatorial, është kthyer në një ritual që përsëritet çdo 4 vite, dhe që këtë herë ka nisur me shpejt.
Në një analizë botuar në The Washington Post javën e kaluar, dhe që u bë virale në rrjet, Robert Kagan, duke përsëritur parashikimin e tij të mëparshëm se ish-presidenti Donald Trump do të bëhej një udhëheqës fashist, paralajmëroi se ai do të bëhet diktator nëse zgjidhet sërish në vitin 2024.
Kagan e krahason fitoren e Trump me një asteroid që përplaset në Tokë, duke i bërë jehonë komentit që u tall gjerësisht nga Michael Anton, i cili e krahasoi dikur fitoren e mundshme të Hillary Clinton në vitin 2016 me një sulm ajror vetëvrasës. Trump kishte dhe ka shumë gjëra, shumica prej tyre të këqija.
Por ai nuk ishte fashist kur ishte president për 4 vite, dhe nuk do të jetë diktator nëse zgjidhet për herë të dytë. Larg të qenit një lider autoritar, Trump ishte i dobët gjatë gjithë mandatit të tij të mëparshëm. Arritjet e tij kryesore – ulja e taksave, një paketë stimuluese gjatë pandemisë, dhe emërimet e gjyqtarëve konservatorë (por kryesisht të establishmentit) – kaluan që të gjitha nëpër procedura normale kushtetuese, ku Kongresi ishte plotësisht i përfshirë.
Ndërkohë, Kongresi e pengoi Trump të mbante premtimin e tij elektoral për të shfuqizuar Aktin e Kujdesit të Përballueshëm (“Obamacare”), dhe për të ndërtuar një mur në kufirin me Meksikën.
Po kështu, përpjekjet më të dukshme të Trump për të vepruar në mënyrë të njëanshme – për t’i dhënë fund programit të emigrimit dhe për të pakësuar rregulloret mjedisore – u bllokuan që të gjitha nga gjykatat ose u zbehën si nisma në përgjigje të sfidave gjyqësore.
Vetë vartësit e Trump nuk iu bindën urdhrave të tij për të bllokuar hetimet e aktiviteteve të tij apo për të ngritur padi joserioze kundër kundërshtarëve të tij politikë. Po ashtu, vendimet më të rëndësishme të politikës së tij të jashtme – tërheqja nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe marrëveshja bërthamore e Iranit – ishin tërësisht brenda traditës së autoritetit presidencial në atë fushë.
Trump ishte një president i dobët, sepse shumica e votuesve nuk e donin atë. Çdo demokrat, madje edhe disa republikanë, kishin mundësi t’i kundërviheshin atij. Në pamundësi për të arritur mbështetjen e shumicës popullore, ai mundi vetëm të pretendonte sikur e kishte.
Megjithëse u përpoq të vendoste nën presion gjyqësorin, ato përpjekje dështuan. “Gjyqtarët e mi”, siç i quajti ai, vendosën vazhdimisht kundër tij kur ai sfidoi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai nuk mund ta detyronte burokracinë e madhe federale që t’i bindej vullnetit të tij, sepse i mungonte mençuria dhe durimi për ta menaxhuar atë.
Trump u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 duke përhapur gënjeshtra dhe duke nxitur sulmin e një turme ndaj institucioneve. Por ai dështoi plotësisht, sërish i penguar nga vartësit e tij të lartë dhe gjykatat, si dhe nga zyrtarët zgjedhorë nga të dyja partitë. Sot, Trump dhe pasardhësit e tij janë paditur, avokatët e tij po përballen me procedime disiplinore dhe qindra mbështetës të tij janë dënuar me burg.
Kagan thotë se këtë herë është ndryshe. Fondacioni Heritage, një institut kryesor i krahut të djathtë, po përpilon një listë me mijëra radikalë të së djathtës që do të mbushin vendet në burokracinë federale, veçanërisht në Departamentin e Drejtësisë. Ndaj Kagan pretendon se Trump do të urdhërojë hetime dhe gjyqe ndaj kundërshtarëve të tij politikë, një lëvizje tipike e diktatorëve.
Në fakt Trump ka kërcënuar se do të ndjekë penalisht ish-Prokurorin e tij të Përgjithshëm, William Barr, dhe ish-shefin e tij të shtabit elektoral John Kelly. Por nëse kemi mësuar diçka për Trumpin, është se premtimet e tij duhet t’i marrim me njëfarë rezerve. Tek e fundit, ai nuk e ndoqi penalisht Hillary Clinton, siç kishte premtuar.
Problemi për Trump dhe rrethin e tij të brendshëm, është se ai nuk ka shumë avokatë dhe politikë-bërës kompetentë të krahut të djathtë, që mund të hyjnë në një agjenci të panjohur dhe ta ridrejtojnë atë në mënyrë efektive. Duke marrë urdhra kontradiktore për të zbatuar politikat e ashpra Trumpiane, dhe për të zëvendësuar mijëra njerëz me përvojë me militantë, krerët e rinj të agjencive ka të ngjarë që të mos arrijnë asnjërin nga objektivat.
Përkundrazi, do ta gjejnë veten të përfshirë në padi nga punonjësit e pushuar nga puna. Për më tepër, Trump ka njoftuar tashmë se ai nuk dëshiron në qeverinë e tij avokatë të Shoqërisë Federale, pasi shumë prej tyre – përfshirë dy prokurorët e tij të përgjithshëm, Jeff Sessions dhe Barr – rezultuan të ishin më besnikë ndaj vendit sesa ndaj tij.
Po atëherë ku do ta gjejë ai ekspertizën ligjore? Me Shoqërinë Federale, që është burimi kryesor i avokatëve ambicioz konservatorë, Trump mban shpresë tek një grupim jashtëzakonisht të vogël talentesh. Trump as e di dhe as nuk i intereson se një president nuk mund ta urdhërojë burokracinë federale.
Një president duhet të përulet, të bëjë kompromis dhe të lutet. Por edhe nëse Trump e bën këtë, hetuesit dhe prokurorët e qeverisë, nuk do të ngrenë çështje kundër njerëzve si Barr dhe Kelly, të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Nëse ata do të imponohen disi, priten dorëheqje masive, rrjedhje informacioni, refuzime publike dhe denoncime në media.
Gjyqtarët do të hedhin poshtë çështjet, dhe juritë popullore nuk do të dënojnë askënd. Kagan mendon se nëse Trump fiton gjyqet e tij aktuale, gjyqtarët do të kenë frikë të vendosin kundër tij nëse ai bëhet president. Kjo e mbivlerëson rrezikun aktual ligjor të Trump dhe nënvlerëson shumë integritetin e gjyqësorit. Një mandat i dytë i Trump nuk do të jetë i bukur. Prandaj prisni sërish trazira, por jo diktaturë.
Shënim: Eric Posner, profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Çikagos.