Ndryshimet demografike po riformësojnë fuqinë punëtore të çdo vendi, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Me plakjen e popullsisë dhe ndryshimin e normave të lindshmërisë, tregu i punës transformohet gjithashtu, sidomos përsa i përket moshës së atyre që marrin pjesë në të.
Në këtë kontekst, është e qartë se plakja e popullsisë po bëhet gjithnjë e më e dukshme në nivel global. Të dhënat e mëparshme të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se në vitin 2023, grupmosha 60 vjeç e lart përbënte 23.5% të popullsisë në Shqipëri. Një përqindje që flet shumë për ndryshimet që po ndodhin në strukturën demografike të vendit.
Po të shohim më në detaje, sipas gjinisë, burrat kryesojnë me një normë punësimi prej 29.4%, ndërsa për gratë kjo shifër është më e ulët, në 17.4%. Megjithatë, ndjeshëm më e lartë se norma e viteve të kaluara.
Nga viti 2012 e në vijim, punësimi për personat mbi 65 vjeç është rritur ndjeshëm, duke arritur në nivele rekord, për të dyja gjinitë.
Në analizën krahasuese të vendeve të Europës, Shqipëria pozicionohet ndër vendet me normën më të lartë të punësimit për moshën e pensionit, menjëherë pas Islandës dhe Estonisë.
Por përse kjo normë e lartë, dhe mbi të gjitha, në rritje? Një pjesë e përgjigjes qëndron te fakti se shumë pensionistë nuk arrijnë të mbulojnë nevojat jetike vetëm me të ardhurat nga pensioni. Po aq e rëndësishme është edhe pjesa e të vetëpunësuarve në sektorin e bujqësisë, ku të moshuarit vijojnë të kontribuojnë. Një faktor tjetër është edhe mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë, që i “shtyn” shumë persona të qëndrojnë në punë edhe pas moshës së daljes në pension.