Nga Con Coughlin “Daily Telegraph”
Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë tashmë në një ngërç, ku asnjëra nga palët nuk ka ndonjë epërsi të dukshme, nuk mund të shpërfillet mundësia që presidenti rus Vladimir Putin të dalë fitimtar nga pushtimi i tij i keq-llogaritur, së bashku me të gjitha pasojat e rënda që do të kishte një rezultat i tillë për sigurinë e Evropës.
Dështimi i Ukrainës për të arritur një përparim vendimtar në kundërsulmimin e saj të nisur që gjatë verës, i ka zbehur parashikimet optimiste të bëra shpesh nga vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe komandantët e tij kryesorë, se fitorja ishte në duart e Kievit.
Por në vend të kësaj, narrativa ukrainase rrezikon që të degradojë tani në akuza ndaj aleatëve të saj perëndimorë për refuzimin e sigurimit të armatimeve të nevojshme për të çarë ngërçin në fushën e betejës. Siç u shpreh udhëheqësi ukrainas në një intervistë të kohëve fundit “Ne nuk morëm të gjitha armët që donim, ndaj nuk mund të jem i kënaqur me aleatët”.
Mungesa e përparimit ushtarak, së bashku me shpërthimin e luftimeve të reja midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, e ka thelluar ndjenjën e skepticizmit midis disa liderëve perëndimorë mbi aftësinë e Ukrainës për të dominuar. Për shembull, brenda administratës së Joe Biden, ekziston një ndjenjë në rritje se, interesat e SHBA-së do të shërbeheshin më mirë duke i bërë presion Zelensky për të ulur në tryezën e negociatave të paqes, në vend se të vazhdojë me një fushatë ushtarake, të cilën ai ka pak shanse për ta fituar.
Ndërkohë, Vladimir Putin po i shton përpjekjet e tij për të rimarrë avantazhin ushtarak që kishte, duke përdorur të ardhurat e mëdha të naftës dhe për ta militarizuar ekonominë ruse, gjë që ka çuar në një rritje të konsiderueshme të prodhimit të armëve.
Kreu i Kremlinit ka autorizuar ndërkohë një rritje me 170.000 trupa të ushtrisë ruse. Ai shpreson se kjo do të ndihmojë përpjekjet e saj për të pushtuar objektiva strategjike kryesore, si qyteti lindor i Avdiivka në rajonin e Donbasit, skena e luftimeve të ashpra kohët e fundit midis forcave ruse dhe atyre ukrainase.
Ideja që 21 muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, ushtria ruse do të ishte ende e aftë të ndërmerrte një ofensivë, dukej e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë, pasi Moska kishte pësuar një sërë pengesash më pasoja shkatërruese.
Dhe ndërsa mbetet ende shumë e pamundur që Putin të jetë në gjendje të përmbushë qëllimin e tij për të pushtuar të gjithë Ukrainën, dhe për të vendosur një regjim kukull në Kiev, çdo përfundim që sjell ruajtjen e zonave të konsiderueshme të territorit ukrainas të pushtuara nga Kremlini do të përshëndetet si një fitore.
Një rezultat i tillë do të paraqiste një sfidë të rëndësishme për aleancën perëndimore, pasi do të vihej në dyshim aftësia e saj për t’i bërë ballë agresionit rus, edhe pas gjithë mbështetjes ushtarake që i ka dhënë Ukrainës. Dhe kjo do ta inkurajonte Putinin të besonte se ai mund të ndërmarrë akte të mëtejshme agresioni në krahun lindor të NATO-s, i sigurt se Perëndimi nuk zotëron as burimet dhe nuk ka as vendosmërinë e nevojshme për t’i rezistuar synimeve ekspansioniste të Kremlinit.
Perspektiva që Rusia ta shpërkallëzojë kërcënimin që paraqet për sigurinë evropiane, në rast se Putin arrin qoftë edhe vetëm disa përfitime modeste në Ukrainë, ka nxitur disa ekspertë të shquar ushtarakë evropianë të vënë në dyshim gatishmërinë e NATO-s për ta përballuar një sfidë të tillë.
Në një konferencë të fundit mbi mbrojtjen në Berlin, pati një ushtrim me një skenar të “fundit të botës”, ku Evropa rrezikonte të pësonte të njëjtin fat si Perandoria e Shenjtë Romake nën Napoleonin, dhe të shkatërrohej në një konflikt të ardhshëm me Rusinë për shkak të paaftësisë së NATO-s për të mbrojtur krahun lindor të Evropës.
Sönke Neitzel, një nga historianët kryesorë ushtarakë të Gjermanisë, ka deklaruar se mund të duhen 15 vjet përpara se vendi i tij të jetë në gjendje të mbrohet kundër Rusisë. Qëndrimi i tij u përforcuan nga Jacek Siewiera, shefi i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, i cili paralajmëroi se NATO ka vetëm 3 vjet për t’u përgatitur për një sulm rus në krahun e saj lindor.
E megjithatë, me gjithë kërcënimin e qartë që paraqet Moska për ne, udhëheqësit perëndimorë nuk duken të prirur që ta vlerësojnë atë me seriozitetin që meriton. Argumenti i përdorur shpesh gjatë fazave të hershme të konfliktit në Ukrainë – se nëse Rusia do të pësonte një disfatë të rëndë, kjo do të distanconte Putinin nga aktet e mëtejshme të agresionit – është zëvendësuar nga lodhja nga lufta si dhe dëshira për t’i dhënë fund asaj me çdo kusht, edhe nëse kjo e inkurajon akoma më shumë një Rusi agresive ndaj fqinjëve.
As reagimi i Perëndimit ndaj konfliktit, nuk ka sjellë një bashkëpunim më të mirë në fushën e mbrojtjes. Duke komentuar mbi ngërçin ky ka hyrë aktualisht konflikti në Ukrainë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ankua kohët e fundit për natyrën e fragmentuar të industrisë së mbrojtjes evropiane.
“Ne nuk jemi në gjendje të bashkëpunojmë aq ngushtë sa duhet”- tha ai, duke paralajmëruar se paaftësia e vendeve evropiane për të bashkuar burimet, mund të dëmtojë përpjekjet për të ruajtur furnizimet me municione për Ukrainën.
Dështimi për t’u përballur me kërcënimin rus me seriozitetin që meriton, është i dukshëm edhe në Britaninë e Madhe, ku një analizë e kreut të financave Jeremy Hunt muajin e kaluar, sugjeron se qeveria nuk ka gjasa që të përmbushë premtimin e saj për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 2 për qind në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Edhe pse kjo e fundit është një kërkesë thelbësore për t’i bërë Forcat tona të Armatosura më të përgatitura për t’iu kundërvënë kërcënimit rus. Me ç’duket Evropa po përgatitet jo vetëm që ta lërë Ukrainën ta humbasë luftën, por ajo ka vullnet për t’u mbrojtur edhe vetë kundër akteve të ardhshme të agresionit rus.