Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka pranuar në parim planin për një armëpushim 30 ditor në Ukrainë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump.
“Ne pajtohemi me propozimin për ndërprerjen e armiqësive, por ai duhet të çojë në paqe të qëndrueshme dhe të heqë shkaqet themelore të kësaj krize”, tha Putin.
Ai shtoi se plani ka nevojë për më shumë konsultime me Shtetet e Bashkuara, duke mos përjashtuar dhe mundësinë e një bisede telefonike me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Në një konferencë për shtyp me presidentin bjellorus, Putin foli dhe për situatën në frontin e luftimeve duke shtuar se rajoni i Kurskut tashmë kontrollohet nga forcat ruse dhe iu bëri thirrje ukrainasve të izoluar që të dorëzohen, në të kundërt do të vdesin.
“Nëse i pushojmë armiqësitë për 30 ditë, a do të thotë kjo se të gjithë në Kursk do të largohen? A duhet t’i lirojmë pasi kanë kryer krime të shumta? Forcat e Armatosura Ruse po përparojnë pothuajse kudo, është e paqartë se si do të zgjidhet situata në vijën e kontaktit në rast të një armëpushimi”, tha Putin.