Qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin për prokurimin publik, ku sipas propozimit që duhet të miratohet nga Kuvendi, autoritetet shtetërore që organizojnë tendera mund t’ua delegojnë këto kompetenca kompanive private.
Në projektligj, një nga pikat përcakton se ofrues i shërbimit të prokurimit është një subjekt publik, ose privat, vendas ose i huaj, që ofron veprimtari ndihmëse për prokurimin publik”.
Kjo do të thotë që një institucion shtetëror që ka publikuar një procedurë prokurimi mund të mos angazhohet drejtpërdrejt në zhvillimin e tenderit, por t’ia ngarkojë këtë përgjegjësi kompanive private, kundrejt një tarife për të cilën palët bien paraprakisht dakord më parë.
Tarifa për kryerjen e veprimtarive ndihmëse për prokurimin publik do të jetë deri në 1 për qind të vlerës së përllogaritur të kontratës që do të prokurohet. Si shembull, nëse bëhet fjalë për një tender prej 100 milionë euro, kompania private që do të realizojë procedurat e tij për llogari të shtetit mund të përfitojë deri në 1 milionë euro tarifë.
Një tjetër pikë që ndryshon në ligj është ajo për institucionet e vogla apo që kanë më pak se 15 punonjës tenderët e të cilëve nëse nuk janë blerje të vogla zhvillohen nga autoritetet eprore.
Drafti i propozuar nga Këshilli i Ministrave gjithashtu shfuqizon llojin e procedurës së prokurimit “Shërbim Konsulence”, ndërsa parashikon edhe mundësinë që Ministria përgjegjëse për financat të propozojë vendosjen e një mase shpërblimi për punonjësit e autoriteteve ose enteve kontraktore që përfshihen në procesin e prokurimit.