Qeveria miratoi këtë të mërkurë projekligjin lidhur me procesin e prokurimeve publike, i cili do të jetë tërësisht digjital. Ministrja e Infrastrukturës, njëherësh zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tha se projekt ligji synon përmirësimin e kuadrit rregullator të prokurimit në Shqipëri.
“Do të përmend disa nga risitë që sjell ky projektligj, i cili synon digjitalizimin e të gjithë procesit të prokurimeve në Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh se tashmë qeveria shqiptare ka digjitalizuar pjesën më të madhe të shërbimeve që ne ofrojmë nga institucionet e administratës, por nga ana tjetër edhe përqasja jonë për sa i përket inovacionit dhe digjitalizimit në Shqipëri, do të prekë edhe sektorin e prokurimeve. Kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve në fazën e parë të kualifikimit si dhe zhvillimin e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik, duke përdorur teknologji të avancuara digjitale, por edhe inteligjencën artificiale, që prej disa kohësh, kemi nisur të implementojmë të gjitha strukturat ofertuese të shërbimeve”,– u shpreh Balluku.
Ndërkohë edhe blerjet dhe ankandet do të bëhen duke përdorur teknologji të avancuar digjitale edhe inteligjencën artificiale.