Më 15 maj pritet të mbërrijë në Tiranë kryeministri britanik Keir Starmer. Qëndrimi i tij do të zgjasë 48 orë, ndërsa ai pritet të çojë përpara një agjendë deri tani të fshehtë të qeverisë së tij, e cila lidhet me ngritjen e një tjetër qendre për azilkërkues emigrantësh në Shqipëri — njësoj si ajo e italianëve në Gjadër.
Një burim i kualifikuar dhe me lidhje pranë “Home Office” në Londër informoi ekskluzivisht Hashtag.al mbi këtë zhvillim:
“Më 16 maj në Tiranë do të mbërrijnë disa liderë të BE-së për samitin që do të mbahet në kryeqytet. Por vizita e zotit Starmer do të ndodhë 24 orë më herët, më 15 maj. Kryeministri i vendit tuaj do të përpiqet ta paraqesë këtë vizitë si historike, ndonëse zoti Starmer ka një qëllim të vetëm: ndërtimin e një tjetër qendre për azilkërkues, me qëllim zhvendosjen e emigrantëve (kryesisht nga Lindja e Mesme) nga Britania në Shqipëri,” – tha burimi i kualifikuar.
Mësohet se shteti shqiptar dhe ai britanik kanë shkëmbyer, gjatë muajve të fundit, informacione përmes kanaleve shtetërore joformale (të padukshme), lidhur me mundësitë dhe variantet e zbatimit të këtij projekti.
Aktualisht, Shqipëria ka ndërtuar një kamp të tillë për transferimin e emigrantëve nga Italia, në zonën e Gjadrit.
Por ky projekt mori jetë vetëm pas një incidenti të mëparshëm me qeverinë britanike.
“Nëse ju kujtohet, Shqipërinë e vizitoi në korrik të vitit 2021 ish-ministrja britanike Priti Patel. Asokohe, Shqipëria ishte shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje dhe qeveria shqiptare kërkoi nga pala britanike që ky projekt i fshehtë të mos dekonspirohej dhe të mbetej konfidencial deri në momentin e fundit. Kishte edhe grupe pune që u morën me detajet. Por dikush nga qeveria e mëparshme britanike nxori këto informacione në media dhe qeveria shqiptare u tërhoq,” – tregoi i njëjti burim.
Mësohet gjithashtu se kryeministri britanik Keir Starmer zhvilloi një takim me kryeministren italiane Giorgia Meloni në shtator të vitit 2024, ku – ndër të tjera – ai e ka pyetur posaçërisht homologen italiane për teknikat dhe mënyrat që ajo sugjeronte për të bindur Edi Ramën mbi këtë projekt.
I pyetur nga Hashtag.al se çfarë do të përfitonte në këmbim kryeministri i Shqipërisë nëse do ta bënte këtë koncesion ndaj britanikëve – duke qenë se Britania nuk është as pjesë e BE-së – burimi u shpreh:
“Ka dy lloj përfitimesh: privilegje, në rastin më të mirë, ose thjesht kohë, kur ke halle. Druaj se bëhet fjalë për variantin e dytë. Kryeministri shqiptar ndoshta po përpiqet të fitojë kohë, dhe mjeti shtrëngues mund të jetë presioni britanik përmes Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka dosje të gatshme dhe tepër të rënda për gjeneralët kryesorë të Ramës dhe për të vetë,” – tha burimi, i cili shtoi: “Mos u habisni nëse, në një moment të dytë dhe për të njëjtën arsye – për të fituar kohë nga halli – kryeministri juaj projekton edhe ndërtimin e kampeve për palestinezët.” / Hashtag.al