Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar deklaratën e kandidates për deputete në listat e koalicionit opozitar Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Adriana Kalaja, e cila e akuzoi deputeten Jorida Tabaku se votat i ka marrë falë kryeministrit Edi Rama. I ftuar në “Log”, Berisha tha se çdo njeri kur hedh një akuzë, duhet të ketë prova. Ai shtoi gjithashtu se është dëshmitar për faktin që Tabaku ka bërë fushatë intensive.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Komenti im është ky: Jorida Tabaku është deputetja më e votuar e Partisë Demokratike. Unë nuk kam absolutisht asnjë të dhënë për atë që thotë zonja Kalaj, unë mendoj se çdo njeri, cilido qoftë para se të hedhë një akuzë, duket të paraqesë fakte dhe prova. Unë nuk kam. Ajo shpreh një mendim të vetin. Di që Jorida Tabaku ka bërë fushatën më intensive të mundshme.
Jorida Tabaku mori mbi 20 mijë vota në Tiranë, duke u bërë më e votuara për Partinë Demokratike, por edhe në rang vendi. Por, për kandidaten tjetër të listës së hapur të Tiranës, Adriana Kalaja, votat e Tabakut nuk janë të sajat. Në një koment të bërë në rrjetin social “Facebook”, Kalaja hedh dyshime se Tabaku është suportuar nga vetë kryeministri Edi Rama për të grumbulluar numrin e votave preferenciale që do t’i siguronin një vend në sallën e Kuvendit për një tjetër mandat 4-vjeçar.