Ka hapur dyert shkolla e re 9-vjeçare “Demokracia” në Valias të Kamzës. Kjo shkollë është rindërtuar me fondet e qeverisë shqiptare në kuadër të Programit të Rindërtimit.
Të pranishëm në inspektimin e shkollës ishin kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli.
Gjatë inspektimit të ambienteve të shkollës, kreu i qeverisë ka shkëmbyer batuta me një nga mësuesit.
“Është një mrekulli kryeministër që është bërë këtu, një investim nga duart tuaja”, i drejtohet një arsimtar.
“Jo nga duart e mia, investimin e ka bërë qeveria”, iu drejtua Rama.
“Edhe kryeministri ka ardhur në Kamzë…”, shtoi mësuesi.
“Ka ardhur edhe përpara kryeministri, por ia fusnin dy gishtat në sy, përfundoi Rama.
Ndërkohë, kreu i qeverisë gjatë inspektimit ka konstatuar se vajzat e shkollës ishin më të gjata se sa djemtë.
“Si shpjegohet që gocat në Kamëz janë më të gjata se djemtë, si shpjegohet”, pyet Rama, duke shtuar se “Gocat e Kamzës janë yje, edhe në volejboll, basketboll, mësime e të gjitha”. Ndërsa një nga nxënëset iu përgjigj se: “Ndoshta kjo është arsyeja pse jemi më të gjata, se jemi yje”.