Rama: Nëse Vlora nuk thyen rekord më 11 Maj, turpi do jetë i burrave që nuk shkojnë në votime

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer etiketimeve për burrat, pas bujës që bëri me termin çyryk që ai e përdori në një takim elektoral në Dibër pak ditë më parë.

Këtë herë në Vlorë, Rama ua la fajin paraprakisht si njollë burrave të këtij rajoni, nëse siç tha ai më 11 Maj qarku bregdetar nuk thyen një rekord elektoral me vota për Partinë Socialiste dhe besimin për të futur Shqipërinë në BE.

“Në 11 maj ka një mesazh për vlonjatët, gjithë Shqipëria ka probleme, të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë probleme, por unë ju them që në çdo qytet që unë shkoj më thonë a do bëhet edhe qyteti ynë si Vlora. Unë di një gjë: ‘Nëse ka zgjedhës burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të shkojnë të votojnë janë burrat dhe djemtë e Vlorës, dhe pastaj patjetër dhe gratë dhe vajzat’. Nëse doni më shumë për Vlorën unë dua më shumë nga Vlora në 11 maj. Kam bindjen absolute, nëse Vlora përtej të gjitha të tjerave, mbahet për sensin e historisë, duhet të provoni sensin e keni dhe sot ku në 11 maj shqiptarët shkojnë në takim me historinë. Në 11 maj PS, do fitojë në gjithë Shqipërinë, në disa qarqe do thyejë rekord. Në zgjedhjet për Europën, nëse Vlora nuk thyen rekord, do jetë turpi i gjithë atyre burrave që nuk shkojnë në votime”, tha Rama.

Rama nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është e vetmja garanci për të mos cenuar barazinë përpara ligjit dhe rikujtoi se “shpatën” e ndëshkimit të drejtë Prokurorisë së Posaçme ia la në duar forca politike që ai drejton.

“Shqipëria sot nuk është po ajo që ishte, drejtësia në Shqipëri nuk është po ajo që ishte. Altin Dumani dhe të tjerë që janë bërë pjesë e këtij momenti të ri të drejtësisë, aty ishin por ishin të çarmatosur. Ajo që bëri PS, ajo që bëri shumica jonë në parlament dhe qeveri falë mbështetjes që mori nga populli është historike. Duke i dorëzuar shpatën drejtësisë, morëm të gjitha kostot që do vinin. Kjo është arsyeja kryesore përse shqiptarët edhe përtej kufijve duhet të mbështesin këtë forcë politike. Sepse sot për sot i vetmi garant për këtë është PS. Unë ju them të gjithë atyre që kanë një votë, të gjithë prindërve, që nëse doni t’u jepni fëmijë tuaj një gjë që prindërit tanë nuk na e dhanë dot, keni mundësinë ta bëni duke ju dhënë pasaportën europiane. Ajo pasaportë, vjen si rezultat i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo është e vetmja garanci dhe le të vijë kush të dojë në qeveri në Shqipëri dhe nuk e cenon dot më barazinë para ligjit”, deklaroi Rama.

Lajme të tjera |  Po kërkon vota për të/ Meta zbutet ndaj Kryemadhit: Të gjithë ata që janë kundër regjimit, janë të mirëpritur!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us