Kryeministri Edi Rama zgjodhi qytetin e Kukësit për të prezantuar programin elektoral, ku përmes të dhënave statistikore vuri në dukje zhvillimet ekonomike të vendit nga viti 2013 deri në fund të vitit 2024.
Ai u ndal veçanërisht te lehtësirat fiskale për bizneset e vogla. Sipas tij, subjektet që realizojnë fitime vjetore nën 100 mijë euro do të përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së. Ndërkohë, për bizneset me të ardhura deri në 140 mijë euro në vit do të zbatohet vetëm TVSH-ja, por jo tatimi mbi fitimin, duke synuar që këto biznese të ruajnë më shumë të ardhura për vete.
Rama deklaroi gjithashtu se këto përjashtime tatimore për bizneset e vogla do të qëndrojnë në fuqi deri në vitin 2029.
“Jemi vendi me taksa më të ulët në rajon për taksat. Taksa për biznesin e vogël është praktikisht 0 taksë mbi fitimin dhe 0 TVSH. Të gjithë ata që kanë një biznes të vogël dhe që bëjnë në 100 mijë euro në vit, nuk kanë as taksë mbi fitimin dhe as TVSH. Po të shikojmë dhe një pasqyrë tjetër të atyre që një biznes të vogël me 140 euro më vit, nuk paguajnë taksë mbi tatim-fitimin, por vetëm TVSH. Kjo është një mënyrë për të mbështetur familjes dhe bizneset, prandaj deri në vitin 2029 nuk do të taksojmë biznesin e vogël”, tha Rama.