Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Kurbin deklaroi se qeverisja e Edi Ramës është në ditët e saj të fundit dhe se fitorja e opozitës në zgjedhjet e 11 majit është më e afërt se kurrë. Në një fjalim të mbushur me tone të forta opozitare, Berisha u shpreh se kryeministri nuk ka më të ardhme politike dhe se shqiptarët janë të vendosur për ta përmbysur regjimin e tij.
“Shndrit fitorja e 11 Majit. Sot ne jemi më afër se kurrë fitores për të cilën kemi luftuar 12 vite,” tha Berisha, duke e cilësuar këtë si një moment historik për PD-në dhe mbështetësit e saj.
Ish-kryeministri nuk kurseu as akuzat ndaj Ramës, duke e cilësuar si një njeri të pashpresë dhe të dështuar:
“Edi Rama po numëron orët dhe ditët e fundit të regjimit të tij. Nuk ka shpresë për të më. Edhe mbrapa diellit të shkojë, ne do ta gjejmë dhe do ta mundim!”
Berisha e përshkroi qeverisjen aktuale si një regjim që ka sjellë vetëm të këqija për vendin, dhe tha se shqiptarët do të votojnë për ndryshimin, drejtësi dhe dinjitet më 11 maj.