Rama synon 10 kandidatë në Fier, reagon Bardhi: Harroi të fliste pse kandidoi Ballukun që hetohet nga SPAK

Kreu i grupit parlamentar demokrat njëkohësisht edhe drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Fierit, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha sot se PD dhe opozita nuk kanë asnjë shans përballë të majtës në këtë qark.

Teksa prezantoi kandidatët, Rama tha se PS synon 10 kandidatë në Fier, por për Bardhin objektivat e kryesocialistit janë si premtimet e tij kur erdhi në pushtet.

“Edi Rama paska ardhur për shëtitje sot në Fier, ku krah Belindës paska shpallur objektivat e PS në Fier! Objektivat e Edi Ramës janë fiks si premtimet e tij kur erdhi në pushtet. Njëlloj si shëndetësia falas, njëlloj si legalizimet falas, njëlloj si subvencionet në bujqësi, njëlloj si ulja e taksave apo rritja e pensioneve”.

Ai e akuzon kryeministrin se nuk u dha asnjë shpjegim qytetarëve përse ka vendosur në krye të listës për Fierin një kandidat të dyshuar për abuzime me miliona euro dhe që është zyrtarisht nën hetim nga SPAK.

“Gjatë vizitës disa orëshe harroi t’u shpjegonte qytetarëve të Fierit pse iu ka vënë në krye njeriun e dyshuar për miliona euro abuzime, njeriun që është zyrtarisht nën hetim nga SPAK për korrupsion e shpërdorim detyre, njeriun që arrogancën e ka të vetmen armë të saj. Harroi t’u shpjegojë pse strehoi në listën e kandidatëve të PS “mallrat e importit të Belindës” Ceno Klosin apo Klevis Jahajn të akuzuar më shumë se një herë për korrupsion e abuzim me pushtetin në SPAK”, shkruan Bardhi.

Bardhi theksoi se Rama përgjigjen do ta marrë më 11 Maj.

“Fieri dhe fierakët i përbuzin matrapazët, hajdutët dhe kandidatët për burg! Fieri dhe fierakët e përbuzin arrogancën!”.

 

Lajme të tjera |  Habemus Papam! Robert Francis është Papa i ri!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

FocusNews © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Contact Us